Revolucioni i larmë i Maqedonisë - produkt i shoqërisë civile

Maqedonia

Revolucioni i larmë i Maqedonisë - produkt i shoqërisë civile

Më: 3 maj 2016 Në ora: 10:05

Sikurse edhe vetë emërtimi “Revolucioni i larmë” protestat qytetare në Maqedoni pasqyrojnë një diversitet të atyre që marrin pjesë në protesta.

Edhe përkundër faktit që në mesin e protestuesve mund të hasen politikanë të partive të ndryshme, megjithatë, bëhet fjalë për një lëvizje qytetare të distancuar nga politika, vlerëson sociologia Tatjana Stojanovska.

“Nga aspekti sociologjik dhe nga pikëpamja e qytetarisë, tregon se asnjë parti politike nuk qëndron pas atyre protestave, pavarësisht asaj që paraqiten politikanë dhe liderë të partive politike, ata aty janë mbi të gjitha si qytetarë të cilët rreshtohen pas motivit kryesor… këtu ju takoni qytetarë që janë të ndryshëm për nga orientimi politik dhe ideologjik, të ndryshëm për nga baza etnike, të mos flasim për nga profesioni, me një fjalë një qytetari me plotë kuptimin e fjalës”, tha Stojanovska për televizionin e Shkupit Alsat-M.

Këto protesta nuk kanë kaluar pa arrestime të disa personave që mendohet se kanë kaluar limitet e asaj që është e lejuar. Por pasqyra që tregon një pjesë të realitetit të asaj që ndodh janë mediat.

Zhaneta Trajkovska mendon se media të caktuara harrojnë standardet etike dhe publikojnë emrat e personave të arrestuar pa respektuar prezumimin e pafajësisë. Madje ato sigurojnë edhe video ekskluzive që sipas Trajkovksës, nuk bëhet fjalë për materiale që realizohen nga kamerat e televizioneve.

“Ju keni publikim me emër, mbiemër dhe moshë të të gjithë atyre që janë arrestuar gjatë protestave. Ata persona janë vendosur në një mur të turpit kushtimisht thënë dhe në mediume të caktuara tregohen me emër dhe mbiemër se kush cfarë ka bërë. Në fakt kjo mund të quhet një buletin policor. Kjo do të thotë se dikush nga MPB ua ka dhënë këtyre mediave jo vetëm në letër por edhe video-materiale për të cilat nuk dimë se nga vijnë, nuk duken se janë nga mediat, mund të jenë nga forcat policore. Gjithmonë është ashtu, incizojnë dhe fotografojnë që të mund të shohin nëse situata del nga kontrolli…”, u shpreh ekspertja mediatike Trajkovska.

Protestat maratonike shoqërohen me momente oratorike dhe fjalime motivuese nga ana e sektorit civil dhe organizatave studentore, duke bërë thirrje për ndryshim. Aty gjithashtu mund të dëgjohen fjalime nga profesorë universitarë të cilët shfaqin habi nga ish-studentët e tyre të cilët tani më janë ngritur në funksione të larta shtetërore dhe ku sipas tyre, ata kanë harruar fjalën “liri” dhe “demokraci” të cilat i kanë mësuar në shkollë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat