Të moshuarit shqiptarë vështirë për të jetuar në shtëpitë e pleqve

Maqedonia

Të moshuarit shqiptarë vështirë për të jetuar në shtëpitë e pleqve

Më: 2 maj 2016 Në ora: 14:48

Mëngjesi i hershëm është rutina e Sahit Qerimit, i cili e nisë punën me të gdhirë. Edhe pse në moshën 77 vjeçare, nuk di të ndalet, e as që do të dëgjojë për pensionim. Jo larg fshatit ku jeton, ai e kositë kullosën për bagëtinë e tij, ndërsa thekson fjalën e urtë që atij i shkon për shtati: se puna dhe familja e mban njeriun e shëndetshëm. Tradicionalisht, Sahiti jeton në shtëpi me familjen e tij, kurse mbesat e saj e shoqërojnë në arë, duke i sjell ujë dhe për të ngrënë. Ai nuk mund ta paramendojë jetën ndryshe, aq më pak që të jetojë larg familjes, në Shtëpinë e pleqve, për shembull.

“Veç nëse nuk ka askush mu kujdes për mua, se përndryshe atje nuk kisha mundur të jetoj. Askush nuk shkon në shtëpi të pleqve për qejf, por nga zori, nëse nuk ka askush të kujdeset për ta”, shprehet ai për Tv21.

Por, një bashkëmoshatar i tij, tani më 5 vjet jeton në Shtëpinë e pleqve, në Kumanovë. 87 vjeçari, Milan Pejqinov është njëri nga 140 të moshuarit e komunitetit maqedonas, të cilët kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe jetojnë në këtë institucion. Ai ka qenë i detyruar, sepse djemtë e tij u zhvendosën nga shtëpia.

“Unë kam jetuar vetëm në shtëpi, pasi që me vdiq gruaja. Dy djemtë shkuan në Shkup për të jetuar me familjet e tyre, kurse unë mbeta vetëm në fshat. Andaj ika nga atje për tu vendosur këtu, që mos t’i bezdis fëmijët”, thotë Pejqinov.

Nga 147 persona që banojnë në këtë shtëpi të pleqve, vetëm 2 janë shqiptarë. Çka i mban shqiptarët larg këtyre institucioneve; Sipas traditës dhe kanunit ata vazhdojnë të kenë autoritet brenda familjes, pa marrë parasysh kushtet materiale e sociale. Këtë e konfirmon edhe sociologu, Besnik Memeti.

“Sipas traditave, gjithmonë shqiptarët janë përkujdesur për pleqtë e tyre. Nëse ndonjë familje nuk i ka pasur kushtet për t’i mbajtur pleqtë në shtëpi dhe kanë qenë të detyruar t’i dërgoj ata në shtëpinë e pleqve, gjithmonë janë ngritur thashethemet se nuk janë të aftë për ta ruajtur babën ose nënën”, thotë ai.

Xhemaledin Nexhipi, drejtor i Shtëpisë së pleqve “Zafir Sajto” në Kumanovë, thekson se përveç traditave, kushtet ekonomike janë faktor i mbajtjes së tyre në shtëpi. Ai thotë se shqiptarët nuk kanë interesim për vendosjen e pleqve në këso institucione, kurse maqedonasit e marrin si proces normal të jetës.

“Akomodimi i pleqve është më kualitativ nëpër shtëpitë e tyre. Familjet, të cilat i dërgojnë pleqtë nëpër institucione të tilla, mund të themi që u imponohet. Për shkak të mungesës së kushteve apo mos prezenca e tyre në shtëpi, që do të kujdeseshin për pleqtë e tyre, sidomos kur janë të sëmurë”, shprehet Xhemaledin Nexhipi.

Sipas të dhënave statistikore, në Maqedoni jetojnë 382.980 persona të moshës mbi 60 vjeçare. Prej tyre, aktualisht nëpër Shtëpitë e pleqve janë të akomoduar vetëm 1.642 persona ose thënë ndryshe 0.43%, në nivel vendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat