Nënkryetari i PDSH në pllakën përkujtimore që mban emrat e 34 luftëtarëve të parë të UÇK-së

Maqedonia

Nënkryetari i PDSH në pllakën përkujtimore që mban emrat e 34 luftëtarëve të parë të UÇK-së

Më: 2 maj 2016 Në ora: 14:10

Deputeti dhe nënkryetari i PDSH-së, Orhan Ibrahimi është njëri nga emrat e vendosur në pllakën përkujtimore të përuruar në Voksh të Deçanit, që mban emrat e 34 luftëtarëve të parë të UÇK-së, që kishin hyrë të armatosur në Kosovë, të udhëhequr nga heroi Sali Çekaj.

“Në këtë shtëpi të Ukë (Ali) Panxhaj, me datë 08.12.1991 u dislokua Grupi i parë ushtarak i Republikës së Kosovës prej 34 vetave i udhëhequr nga Sali Çekaj, në fillimin e përgatitjeve për çlirimin e vendit”. Kështu shkruan në pllakën përkujtimore të vendosur në Voksh, në të cilën janë të skalitur emrat e gjithë atyre personave që ishin pjesë e Grupit të UÇK-së, në mesin e të cilëve ishte edhe Adem Jashari.

Zbulimin e kësaj pllake të Vendosur në familjen Panxhaj, e të financuar nga biznesmeni Ibrahim Selimaj, në praninë e shumë banorëve dhe veprimtarëve, kanë bërë, Musë Çekaj, (vëllai i heroit), eprori ushtarak Fadil Hadërxhonaj dhe Ramë Panxhaj.

Për figurën dhe doktrinën e Sali Çekaj, është shprehur edhe, Ismet Ibishi, ish oficer i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, për të cilin Salihu me shokë, ndërruan doktrinën luftarake, nga ajo guerile në atë frontale.

“Ishte mëngjes kur në familjen tonë Panxhaj, kishte ardhur Sali Çekaj me 33 ushtarë të cilët ishin edhe të lodhur, pasi që bartnin armatim në supet e tyre”, fillon rrëfimin e tij, Ramë Panxhaj, i cili atë kohë sapo kishte kaluar të njëzetat, por kishte pasur fatin t’i takonte heroit kombëtar si Adem Jasharin, Sali Çekaj dhe të tjerët. Panxhaj ka treguar se Salihu me grupin e tij që vinin nga Shqipëria për të sjell armatim, pasi kishin shmangur rrugën për ku ishin nisur, (në familjen Tolaj në Pobergj), kishin rastisur që në Jasiq ta takojnë Binak Mazrekaj, i cili iu kishte dhënë drejtimin për në Voksh. “Sapo ka ardhur Salihu me shokët e tij, pasi që ishte moti i ftohtë, kemi ndezur zjarrin për nxehje, e pastaj kam ftuar (pos familjes sonë Panxhaj), edhe Maxhun Hadërgjonaj me djalin e tij, Mehmetin, me qëllim të përkujdesjes për ushtarët dhe transportimin e tyre për në vendet ku ishin nisur”, ka vazhduar rrëfimin e tij, Ramë Panxhaj, që së bashku me të vëllain Isufin, kishin qenë të detyruar të arratisen nga Kosova, ku edhe jetojnë dhe punojnë në Gjermani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat