4 vjet nga rasti “Monstra”, familjarët: Zhgënjimi më i madh

Maqedonia

4 vjet nga rasti “Monstra”, familjarët: Zhgënjimi më i madh

Më: 1 maj 2016 Në ora: 15:36

Familjarët e të burgosurve për rastin “Monstra” 1 majin e vitit 2012 e kujtojnë si një ndër ditët më të rënda të jetës së tyre, pasi që trauma e aksionit policor të zhvilluar para katër viteve ende nuk ka kaluar.

Familja e të akuzuarit Sami Luta i cili po vuan dënimin në burgun e Shutkës thonë se ndjehen shumë keq dhe se tërë kohën ata kanë përjetuar provokime nga më të ndryshme. “Ndjehemi keq, shumë keq. Na morën më të dashurin pa pikë faji. Malli për të vjen e po na shtohet dita ditës. Tërë kohën përjetuam provokime të llojllojshme. Zhgënjimi ma i madh ishte premtimi që e dha Zaevi për publikimin e bombave për rastin tonë të cilin nuk e mbajti.

E falënderojmë gjithë popullatën dhe jemi të kënaqur nga përkrahja e tyre qysh nga fillimi e deri më sot, të cilët na kanë dhënë kurajo dhe forcë dhe gjithnjë kanë qenë me ne”, thonë familjarët e Sami Lutës.

“Jemi jashtëzakonisht të mllefosur! Për dikë ndoshta nuk është me rendësi dhe i duket se kalojnë vitet, por për familjet tona nuk do të thosha kështu. Sot në Maqedoni nuk mund të jetohet pa ndonjë problem të këtillë e lëne më me të burgosur pa një epilog përfundimtarë. Po përcjellim përvjetorin e 4 dhe po e fillojmë te 5-tin. Askush nuk e din hallin tonë përveç atyre që kanë ndonjë brengë të tillë. Ne që jemi familjarë, kemi mjaft halle po prapë nuk jemi në lëkuren e të burgosurve tanë që nuk e dinë pse janë që 4 vite të prangosur, të fyer të nënvlerësuar si njerëz, si shqiptarë që padrejtësisht janë të burgosur. Na mungojnë neve të rriturve dhe as që diskutohet për fëmijët e tyre”, ka thënë nga ana tjetër, Bedri Ajdari.

Lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev një vit më parë tha se do të publikojë gjithçka që posedon për rastin “Monstra” kur u vranë katër fëmijë dhe një person i rritur pranë liqenit të Smillkovës, por kjo gjë nuk ndodhi. Ai tha që materialet ia ka dorëzuar Prokurorisë Speciale e cila ende nuk e ka shqyrtuar rastin edhe pse familjarët kërkojnë një gjë të tillë.

Gjashtë persona të akuzuar në rastin “Monstra” janë dënuar me burg të përjetshëm, kurse vetëm njëri prej tyre nuk ka marrë burg të përjetshëm është vendimi i gjykatës lidhur me këtë rast. Halil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm nën akuzën se kanë kryer vrasjen e pesëfishtë që ndodhi më 12 prill të vitit 2012, afër liqenit të Smilkovcit. Ata janë dënuar për veprën më të rëndë, “terrorizëm”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat