Vendos BDI: Nuk shkojmë në zgjedhje pa opozitën

Maqedonia

Vendos BDI: Nuk shkojmë në zgjedhje pa opozitën

Më: 27 prill 2016 Në ora: 16:46

Bashkimi Demokratik për Integrim ka riformuluar qëndrimin lidhur me zgjedhjet e 5 qershorit në Maqedoni: Nëse qoftë edhe një parti nuk merr pjesë në zgjedhje, as partia e Ali Ahmetit nuk do të marre pjesë në to, raporton Alsat-M.

Zëdhënësi i partisë në pushtet në Qeverinë e Maqedonisë, Bujar Osmani, në emisionin “200” të televizionit të Shkupit, theksoi i prerë se BDI-ja nuk e shef veten në një proces që nuk do t’i përfshinte të gjitha forcat politike, e aq më pak nëse procesi do të vihej në dyshim nga ndërkombëtarët për besueshmëri.

“BDI nuk i sheh zgjedhjet aty ku nuk participojnë të gjithë, si zgjidhje për këtë krizë”, deklaroi Osmani.

BDI-ja tek e cilat varet edhe fati i zgjidhjes së krizës, më herët promovonte fuqishëm idenë e zgjedhjeve, si shansin e vetëm të zgjidhjes së krizës.

“Ne do të punojmë për mbajtje të zgjedhjeve për përfundim të krizës sepse këtë e kërkon qytetarëve dhe këtë e kërkon vendi”, deklaroi deputeti dhe këshilltar i Ahmetit Artan Grubi më 21 prill të këtij viti.

Ndërkaq, edhe më herët, pavarësisht shpalljes së vendimit të abolimit nga presidenti Gjorge Ivanov, edhe vetë kreu i BDI-së Ahmeti garantoi se vetëm zgjedhjet janë zgjidhja e krizës.

“Nuk mendoj që është zgjidhja më e mirë të kontestohet data e zgjedhjeve të pesë qershorit sepse mbajtja e zgjedhjeve me pesë qershor është fundi i krizës dhe fillimi i zgjidhjes me mjete politike dhe mjeti i vetëm politik për zgjidhje përfundimtare janë zgjedhjet parlamentare”, tha Ali Ahmeti më 12 prill, 2016.

Lëkundja e qëndrimeve të BDI-së erdhi pas rënies së vendit në krizë, me vendimin e presidentit për abolim dhe zgjerimin e valës së protestave. Prej kohësh, partitë e mëdha maqedonase kanë ndërprerë çdo formë komunikimi, duke bërë që edhe thirrja për takimin e Vjenës të dështonte, përfshi edhe ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat