Sekretari amerikan i Shtetit Kerri anashkaloi Maqedoninë

Maqedonia

Sekretari amerikan i Shtetit Kerri anashkaloi Maqedoninë

Më: 14 shkurt 2016 Në ora: 19:41

Anashkalimi që i bëjnë zyrtarët e lartë amerikan Maqedonisë gjatë vizitave të tyre në Ballkan është reflektim i qëndrimit të tyre se vendi ka nevojë që të tejkalojë ngecjet në zhvillimin e demokracisë, marrëdhënieve ndëretnike dhe pabarazisë. Profesori universitar Denko Maleski për Alsat thotë se ndërkombëtarët kanë treguar qartë çfarë presin nga Maqedonia dhe kërkojnë që rekomandimet e tyre të realizohen.

“Te ne shumë po zgjat kriza e demokracisë kurse kjo është njëra nga parametrat sipas të cilave politika amerikane e vlerëson suksesin e funksionimit të shtetit. Poashtu ne për një kohë të gjatë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk jemi në gjendje t’i zgjedhim çështjet tona më të rëndësishme, për t’i realizuar qëllimet strategjike që i kemi vendosur para 25 vitesh dhe kjo është anëtarësimi në NATO dhe BE”, tha Denko Maleski, profesor universitar.
Maleski konsideron se nëse do të rregulloheshin marrëdhëniet ndëretnike në vend, atëherë Maqedonia do të ishte zgjedhja e parë e politikanëve amerikan gjatë vizitave të tyre në Ballkan.

“Maqedonia ka vendosur themele të mira në rregullimin e saj të brendshëm. Themele që në një shoqëri multietnike mund t’i bëjnë të gjithë të ndihen si në shtëpi, në këtë shtetin tonë të përbashkët dhe kur ta arrinim këtë, ne do të ishim një shembull shumë i veçantë në Ballkan dhe do të ishim shumë atraktivë për vizitën e politikanëve amerikan sepse vetë ata në politikën e tyre flasin për shoqëri multietnike, barazi, drejtësi dhe demokraci”, u shpreh Denko Maleski, profesor universitar.

Maleski tha se vizita të tilla në Maqedoni ka vetëm kur duhet të ndihmojnë që të zgjidhet ndonjë çështje, ndërkohë që presin që më në fund Maqedonia, si shtet i pavarur, të jetë në gjendje të zgjidhë vetë problemet e saj. E fundit që ka vizituar Maqedoninë ishte ndihmës sekretarja e shtetit amerikan në korrik të vitit të kaluar në përpjekje për të gjetur zgjidhjen e krizës politike në vend. Në vitin 2010, sekretarja e shtetit Hilary Klinton vizitoi Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën kurse në vitin 2012 ajo vizitoi Shqipërinë. Gjatë ditës së sotme, Shqipërinë e ka vizituar edhe sekretari amerikan John Kerry, në agjendën e tij nuk ishte Maqedonia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat