Ekspertët: Gjyqësori i ndikuar nga politika

Maqedonia

Ekspertët: Gjyqësori i ndikuar nga politika

Më: 14 shkurt 2016 Në ora: 19:39

Prokuroria speciale filloi fuqishëm dhe me argumente aksionin e saj të parë, duke shtuar besimin e qytetarëve për këtë institucion, por lënia e lirë e personave për të cilët janë nën hetim, ishte një tregues për presionet që ushtrohen mbi gjyqësorin. Kështu vlerëson profesori universitar Nano Ruzhin i cili thotë se një situatë e tillë padyshim që do të ndikojë edhe në zhvillimet e ardhshme politike.

“Në praktikën e deritanishme në gjyqësorin në Maqedoni, asnjë rast nuk ka filluar pa u përzier politika, flas për rastet e rëndësishme. Dallimi është në atë që për herë të parë kemi që pozita më e fuqishme politike, qeveria, i kundërvihet Prokurorisë publike dhe gjyqtarët, për fat të keq, të frikësuar dhe ndoshta edhe me metoda të tjera të presionit nuk e bënë atë që pritej prej tyre… Kjo do ta përforcojë pozitën e opozitës se d.m.th. se ka pasur të drejt për kërkesat e saj”, tha Nano Ruzhin, profesor universitar.

Sipas Ruzhin, fakti që të dyshuarit u lanë të lirë dhe për ta nuk u caktua masa e paraburgimit, te qytetarët do të krijojë bindjen se askush nuk ka të drejtë t’i ndalojë ata edhe për veprat më të rënda. Edhe analisti Albert Musliu mendon se aksioni i parë i prokurorisë speciale rriti besimin e qytetarëve për drejtësi dhe kjo do të ndikojë që ata të shprehin lirisht dhe pa frikë vullnetin e tyre në zgjedhje.

“Me shprehjen dhe prezantimin që e bëri prokurorja me ndihmësit e saj, ne mund të presim një proces ligjor, një proces të matur, por proces i cili në fund do të japë rezultate. Kështu që këto rezultate dhe veprimi i saj gjithsesi do të kenë në atë fyerjen e monolitizmit të VMRO-DPMNE-së dhe atij impresionit se ata e kontrollojnë gjithë situatën dhe mendoj se kjo do të ketë ndikim edhe te ato qytetarë që e kanë pas ndjenjën e frikës që në procesin zgjedhor të mund të shprehen lirisht”, theksoi Albert Musliu, analist politik.

Një ditë më parë, pas lënies të lirë të ish ministrit të transportit Mile Janakievski, kryetarit të Pustecit Edmond Temelko dhe personave të tjerë, Prokuroria speciale njoftoi vazhdimin e “betejës”, duke ankimuar vendimet e Gjykatës Penale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat