MPB injoron shkresën në shqip të “Unitetit”

Maqedonia

MPB injoron shkresën në shqip të “Unitetit”

Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 16:09

Ministria e Punëve të Brendshme ka injoruar shkresën e Partisë Uniteti të shkruar në gjuhën shqipe, perms së cilës ishin kërkuar masat e sigurisë për kongresin e ditës së diel të kësaj partie në Shkup.

Shkresa e dedikuar për këtë qëllim ishte shkruar në gjuhën shqipe në pajtim me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe si e tillë nuk është pranuar nga Sektori për Punë të Brendshme në Shkup me arsyetimin nga punonjësja administrative, se nuk e kuptonte se çfarë shkruhej në shkresën e dorëzuar nga “Uniteti”.

Nga zyrtarët përgjegjës, përfaqësuesve të “Unitetit” u është kërkuar që shkresa të jetë në një gjuhë që kuptohet edhe nga të tjerët, pra në maqedonisht. Me këtë veprim, Ministria për Punë të Brendshme ka thyer Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, me çka është kryer vepër penale e sanksionuar me Kodin penal, ku parashihet dënim me burg, thonë nga “Uniteti”.

“Kërkojmë nga Prokuroria të ngrejë procedurë adekuate dhe nga ministri për Punë të Brendshme të marrë masa në përputhje me ligjet dhe rregulloret për marrëdhënie pune, të cilat e rregullojnë këtë lëmi. Njëkohësisht e njoftojmë edhe opinionin publik për ta dënuar rastin që të mos përsëritet”– deklaroi Gëzim Ostreni nga partia “Uniteti”.

“Uniteti” ka njoftuar edhe për aktivitetet që ka ndërmarrë për mbajtjen e kongresit të parë. Nga kryesia e kësaj partie njoftuan se, tashmë janë formuar edhe degët dhe janë zgjedhur 540 delegatët që do të miratojnë të dielën organet legjitime, statutin dhe programin politik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat