“Kultura Shqiptare në Maqedoni”: SHBSH me propozime konkrete për dalje nga kriza

Maqedonia

“Kultura Shqiptare në Maqedoni”: SHBSH me propozime konkrete për dalje nga kriza

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 20:47

“Të formohet Departamenti i Kulturës Shqiptare – DKSH (në kuadër të Ministrisë së Kulturës) si organ i mëvetësishëm i parë i depolitizuar dhe departizuar në Maqedoni ose të bëhet riorganizimi i Ministrisë së Kulturës në tre departamente të kulturës (Departamenti i Kulturës maqedonase; shqiptare dhe për kulturë të bashkësive etnike në Maqedoni)”, këto janë dy propozimet të cilat do ta nxirrnin nga kriza çështjen e kulturës shqiptare në Maqedoni, sipas pjesëmarrësve të tryezës së sotme të rrumbullakët të organizuar nga “Shoqata e Botuesve Shqiptar”.

Në këtë tryezë të rrumbullakët ishin pjesëmarrës, intelektualë nga të gjitha sferat të cilët, njëzëri vlerësuan se gjendja e kulturës shqiptare në Maqedoni është në situatë të mjerueshme dhe se që nga viti 2000 e këndej, përkujdesja institucionale-kulturore nga ana e Ministrisë së Kulturës, nuk ka shënuar kurrfarë rritje.

“SHBSH duke e parë se po bëhet një hile e jashtëzakonshme ndaj botuesve shqiptarë dhe sektorëve të tjera, ne kemi organizuar këtë tryezë në të cilën kemi thirrur persona përgjegjës të veprimtarive të veçanta ta diskutojnë çështjen në fjalë. Besojmë se kjo konferencë do të gjejë hapësirë që të dëgjohet zëri jonë”, tha kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Qamil Rufati.

Profesori universitar dhe kolumnisti i Portalbit, Ali Pajaziti thotë se qëllimi i këtij takimi është që të diskutohen konturet e ardhmërisë dhe të tashmes së kulturës shqiptare në Maqedoni dhe në lidhje me atë se a kemi margjinalizim, mikro dhe makro kulturë te ne.

“kultura shqiptare gjithherë në këtë apo në atë mënyrë është e ekskomunikuar nga projektet madhore të këtij shteti apo të kësaj substance politike që quhet Republika e Maqedonisë duke filluar nga librat e deri te ndërtimi kulturor i hapësirës publike. Mendoj se viteve të fundit janë bërë disa hapa avancuese të kulturës shqiptare në Maqedoni duke e pasur parasysh se ne kemi një ndër universitetet më të mira në trojet shqiptare, kemi njërën ndër 3 shtëpitë botuese më të mëdha në trojet shqiptare, kemi artistë të mirëfilltë, por pa kushte të mira për ta zhvilluar veprimtarinë e tyre dhe pa mbështetje të duhur financiare”, shprehet Pajaziti.

Sipas, regjisorit Sulejman Rushiti, në Maqedoni ka amulli kulturore. Ai vlerëson se, ne vazhdojmë të kemi mungesë të institucioneve të cilët do ta kultivonin kulturën shqiptare, për shkak se në mungesë të institucioneve, çdo punonjës i kulturës apo çdo artist përballet me iniciativa vetanake me aplikime që gjithmonë refuzohen për shkak të ngjyrimit partiak, vullnetit të komisioneve dhe majorizimit i cili ndodhë në institucionin e Ministrisë së Kulturës.

“Është shqetësuese akulturimi i organizmave politik të shqiptarëve. Fakti që shumica e komunave që qeverisen nga kryetarë shqiptarë, nuk anë marrë as iniciativë për themelin të ndonjë institucion kulturor në nivelin e tyre, tregon qartë se ata janë persona të cilët janë të zhveshur nga kultura dhe nuk kanë ndonjë qasje për kulturën dhe nuk e ndjejnë të nevojshme, madje e ndjejnë si një fenomen të tepër të shoqërisë. Shqetësuese është se nuk mund të bësh garë në një shoqëri multietnike, në qoftë se ti nuk ekziston si subjekt, fjalën e kemi për organizimin institucional, talentë ka, por nuk ka mbështetje institucionale dhe financiare”, shton regjisori, Sulejman Rushiti.

Si pasojë e kësaj gjendjes, SHBSH, ka vlerësuar që të del me dy propozime edhe atë:

Të formohet Departamenti i Kulturës Shqiptare (në kuadër të Ministrisë së Kulturës) si organ i mëvetësishëm i parë i depolitizuar dhe departizuar në Maqedoni. Me xhirollogari, emblemë dhe mëvetësi të veten, me kompetenca dhe ingerenca për të mbajtur komunikim të drejtpërdrejt me Qeverinë dhe institucionet e Jashtme. Ky organ shtetëror, sipas SHBSH-së, do të ishte, organ i parë i depolitizuar.

Të bëhet riorganizimi i Ministrisë së Kulturës në tre departamente të kulturës (Departamenti i Kulturës maqedonase; shqiptare dhe për kulturë të bashkësive etnike në Maqedoni). Sipas SHBSH-së, këto 3 departamente duhet të formohen në kuadër të Ministrisë së Kulturës. Kjo sipas tyre, nënkupton që të tre departamentet duhet të kenë, përgjegjësi dhe ingerenca të plota, xhirollogari, buxhet proporcional në bazë të përfshirjes etnike, adresë dhe llogo të veten, krahas asaj të Ministrisë së Kulturës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat