Tetovë, Halimi: në pranverë do të jetë gati stacioni për filtrimin e ujit të pijshëm

Maqedonia

Tetovë, Halimi: në pranverë do të jetë gati stacioni për filtrimin e ujit të pijshëm

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 20:45

Punimet që kanë të bëjnë me ujësjellësin e Tetovës tani më kanë mbaruar dhe pritet të ndërtohet vetëm stacioni për filtrimin e ujit të pijshëm.

Stacioni do të menaxhohet dhe ndërtohet nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve duke shfrytëzuar një grant ndërkombëtar nga Banka Europiane për Investime.

“1.300,000 euro do të investojë Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, ndërsa pjesën tjetër e mbulon komuna. Komplet projekti kap shumën e 1.500,000 euro”, tha për Portalb Nimetulla Halimi, – zëvendës ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Ai theksoi se procedura tani më është gati dhe në javët në vazhdim priten punë konkrete.

“Procedura e tenderit është përmbyllur. Nesër është ankandi për ndërtimin e stacionit për filtrimin e ujit. Pas zgjedhjes së firmës, firmat tjera kanë 10 ditë afat ankese ”, tha Halimi.

Ai për Portalb përmendi se pas nënshkrimit të kontratës me firmën që do të jetë përgjegjëse për punët brenda një muaji duhet të fillohet me punë.

Ndryshe, Ministri i Ambientit Jetësor, Nurhan Izairi, si dhe Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi kanë paralajmëruar se komplet projekti i ujësjellësit pritet të përfundoj këtë pranverë.

“Në prill maksimumi 1 maj të këtij viti duhet të jetë gati komplet projekti”, tha edhe Halimi.

Ndryshe, ndërtimi i këtij ujësjellësi përfshin ujërat e lumenjëve “Shkumbin” dhe “Ujit të Ftohtë” dhe është i gjatë afër 8.5 kilometra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat