Dëshmi shokuese para gjykatës: Mirsad Ndrecaj e Beg Rizaj u ekzekutuan në stacion policor

Maqedonia

Dëshmi shokuese para gjykatës: Mirsad Ndrecaj e Beg Rizaj u ekzekutuan në stacion policor

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 09:33

(E plotësuar) - Në Gjykatën Themelore të Shkupit, paraditën e sotme ka nisur vazhdimi i procesi gjyqësor kundër 29 personave, të dyshuar si pjesëmarrës të një grupi të armatosur, të cilët sipas Kodit Penal të Maqedonisë ngarkohen me veprat penale “organizim terrorist”.

Veprat penale ata dyshohen se i kanë kryer gjatë përleshjeve të armatosura që ndodhën në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj, të vitit të kaluar.

Derisa në seancën e së martës, prokurori i rastit e ka lexuar aktakuzën ndaj të akuzuarve, sot, të akuzuarit janë duke u deklaruar në lidhje me pretendimin e prokurorisë dhe janë duke e treguar versionin e tyre të ngjarjes në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

I pari nga të akuzuarit që është deklaruar para trupit gjykues është shtetasi i Kosovës, Rufki Dogani.

Ai mes të tjerash, para trupit gjykues është shprehur se Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj, janë vrarë nga policia maqedonase pasi që janë dorëzuar. Kjo sipas tij, ka ndodhur për qëllime politike dhe me qëlim që të fshehet e vërteta që qëndron pas ngjarjeve në Kumanovë.

Lexo edhe:
Dëshmi tronditëse para gjykatës: Gjashtë pjesëtarë të grupit u dorëzuan, por u vranë në stacion policor

Sikurse të martën e kësaj jave kur ka filluar gjykimi, edhe sot, seanca po mbahet nën masa të shtuara të forcave plicore të cilët po qëndrojnë para objektit të gjykatës por edhe në pikat kryesore të qytetit të Shkupit.

Në ditën e parë të seancës gjyqësore të mbajtur të martën, organi i akuzës ka thënë se në bazë të dëshmive që i posedojnë, gjatë procesit gjyqësor do të dëshmohet se të akuzuarit për rastin e Kumanovës, me paramendim kanë kryer veprën për të cilën ngarkohen.

Të gjithë të akuzuarit në rastin e Kumanovës janë shprehur të pafajshëm përballë akuzave me të cilat ngarkohen.

Deri në fund të muajit mars, përkitazi me këtë rast janë caktuar të mbahen edhe tetë seanca të tjera gjyqësore.

***

Sot vazhdon seanca për 29 shqiptarët e akuzuar për terrorizëm nga ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit të kaluar në ‘Lagjen e Trimave’ në Kumanovë.

Nga të akuzuarit, Nasuf Zekaj ka deklaruar se urdhëri i Beg Rizajt ka qenë i prerë që të mos sulmohet policia, por të gjuhet me armë zjarri në ajër dhe se nuk kanë patur ndërmend që të luftojnë, prandaj ka bërë thirrje që ky rast të sqarohet deri në fund.

I akuzuari tjetër, Rufki Dogani, theksoi se gjashtë anëtarë të grupit u dorëzuan në polici, por janë vrarë brenda në stacionin policor. Ndërkaq, Valdet Zekaj ka deklaruar se prokuroria publike është duke e shfrytëzuar fjalën ‘’terrorizëm’’ për të mbuluar arsyet e vërteta të ‘’Lagjes së Trimave’’.

Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se klientët e tyre nuk janë të fajshëm dhe se të gjithë ata nuk kanë kryer e as që kanë marrë pjesë në grupe terroriste.

Grupi i Kumanovës sot para gjykatës, Shkupi përsëri i blinduar edhe në tokë edhe nga ajri

Fluturimet e helikopterëve kanë prishur qetësinë mbi Shkup që nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm, kurse forca të mëdha policore janë pozicionuar para gjykatës Supreme në Shkup, ku sot do të paraqiten për here të tretë para gjykatës pjesëtarët e Grupit të Kumanovës.

Forca të mëdha policore nuk vërehen vetëm para gjykatës, por edhe në pika tjera kyçe në Shkup.

Të akuzuarit do të gjykohen për veprat penale “organizim terrorist” nga neni 394-a dhe për “terrorizëm” nga neni 394-b sipas Kodit Penal i Maqedonisë. Më 7 dhjetor të vitit 2015 që të gjithë 29 të akuzuarit për terrorizëm para Këshillit Gjyqësor të Gjykatës Themelore Shkupi 1 janë deklaruar se nuk ndjehen fajtor për veprën “terrorizëm”.

Sipas prokurorisë grupi i njëjtë ka marrë pjesë edhe në sulmin e karakollit në Gushincë. Nga ana tjetër pala mbrojtëse hedh poshtë akuzën për terrorizëm, avokatja Artene Ademi-Iseni madje u ankua për torturë dhe dhunë ndaj të akuzuarve gjatë transportimit të tyre nga burgu deri në Gjykatë.Në përgjithësi, pala mbrojtëse deri më tani kërkonte lëndën ta merr Prokurorja speciale Katica Janeva pasi sipas tyre ngjarjet kanë prapavijë tjetër nga ajo që përfaqëson Prokuroria publike e RM-së. Se të akuzuarit kanë qenë lëndë e sjelljes së dhunshme e konfirmoi edhe Avokati i Popullit.Përveç opinionit dhe familjeve të viktimave, në pritje të epilogut të gjykimit janë edhe banorët e Lagjes së Trimave në Kumanovë. Një pjesë e të cilëve janë në paraburgim të akuzuar si bashkëpunëtorë.

Më 9 dhe 10 Maj të vitit të kaluar në Kumanovë, në Lagjen e Trimave të banuar kryesisht me shqiptarë, një grup i armatosur u përplas me forcat e sigurisë. Gjatë këtij incidenti humbën jetën 8 policë të njësive elitare të policisë, derisa 14 të tjerë u plagosën rëndë. Të vrarë mbetën edhe 10 persona të grupit të armatosur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat