Fshati Dikavec i harruar nga pushtetarët, fëmijët mësojnë vetëm 2 herë në javë

Maqedonia

Fshati Dikavec i harruar nga pushtetarët, fëmijët mësojnë vetëm 2 herë në javë

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 08:09

Përmes kësaj rrugë të thepisur e të ngushtë arritëm në fshatin Dikavec të komunës së Zelenikovës. Udhëtuam pa ndërprerë 2 orë e gjysmë, për të parë nga afër jetën e këtyre banorëve të harruar.

Të tillë ndihen edhe 5 nxënësit që mësojnë në shkollën fillore “Marko Cepenkov”, të cilët mësojnë vetëm 2 ditë në javë.

“Edhe pse sot është ditë pune, shkolla fillore në fshatin Dikavec nuk punon. Nxënësit, që janë të paktë në këtë shkollë, janë të detyruar që mësimin ta mbajnë një ose dy herë në javë”.
“Ndonjëherë të martën, ndonjëherë të hënën dhe të mërkurën”.

D.m.th kur vjen mësuesi ashtu edhe ju vini?
“Çdoherë kur vjen mësuesi edhe në vijmë”.

Këto ditë që nuk jeni në shkollë çfarë bëni?
“Qëndrojmë në shtëpi”.

Me mësime si je?
“Nuk jam edhe aq lart sa duhet”.

A ke pa deri më tash kompjuter dhe si duhet të punohet me të?
“E kam parë, por nuk kemi, me punu me të nuk di”.

Më shumë nga fëmijët, revolta e zhgënjimi shprehet nga prindërit e tyre, më të rriturit, të cilët thonë se zgjidhja e vetme për ta është shpërngulja dhe braktisja e çdo gjëje që kanë.

“Ky fshat ka qenë në harresë por prej sot nuk do të jetë në harresë se ju keni ardh dhe na keni gjet, përndryshe do të ishte harru krejt.... Nëse i mbledhim krejt, janë vetëm 10 ditë në muaj që mbahet mësim edhe madje, me klasë të kombinuara, asnjëri nuk e di se çka mëson”, u shpreh një banorë i fshatit Dikavec.

“S’ka jetë, nuk kemi rrugë, rrugën e keni parë edhe ju që nuk bën, çka të bëjmë.. Punojmë me duhan, dru, mbjellim në bahçe, kështu jetojmë. Të gjithë ikën edhe ne nuk jemi për gjatë këtu, por çfarë të bësh, nuk mund të shpërngulesh”, tha një tjetër banorë i Dikavecit.

Kur edhe rrezet e fundit të diellit bien, të gjithë hyjnë brenda për shkak të të ftohtit të madh. Në shiltetë përreth koftorit gjetëm edhe më të moshuarin e fshatit, gjysh Alushin, i cili mban gjallë vetëm kujtimet e dikurshme. Shpresat për të kanë marrë fund!

“Sikur ta kishim rrugën e ndërtuar të rinjtë nuk do të iknin për në kurbet, do jetonin këtu, do punonin, dikush me shkollë e dikush pa shkollë.. 17.02 Deri më sot askush nuk na ka vizituar, vetëm kur vijnë zgjedhjet vijnë dhe luten, njëri thotë nga unë”, theksoi një banorë i fshatit Dikavec.

Në fshatin e harruar ku mësohet vetëm 2 ditë në javë, sigurisht nuk mund të priten gjëra të mëdha, por vetëm çudira, sikurse vendimi i Inspektoratit të Arsimit për gjoba deri në 2 mijë euro për shkak të mos regjistrimit në shkollë të mesme. Ndërsa në Shkup ligji artikulohet lehtë, në këtë fshat ai nuk ekziston. Banorët na treguan se edhe mësuesi tjetër që duhet të vijë në këtë shkollë, ka ikur në Itali, edhe pse në shkelje të plotë, bartte edhe detyrën tjetër si këshilltar në Komunë. Kreu i Komunës, i cili ishte i zënë me takime kur vizituam fshatin, theksoi se nuk kishte dijeni që mësimi kryhej 2 herë në javë, ndërsa për rrugën e mjerueshme, pranoi se nuk ka aspak fuqi ta ndërtojë atë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat