Shkupi blindohet edhe në tokë edhe nga ajri

Maqedonia

Shkupi blindohet edhe në tokë edhe nga ajri

Më: 9 shkurt 2016 Në ora: 12:14

Fluturimet e helikopterëve kanë prishur qetësinë mbi Shkup që nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm, kurse forca të mëdha policore janë pozicionuar para gjykatës Supreme në Shkup, ku sot janë paraqitur për here të dytë para gjykatës pjesëtarët e Grupit të Kumanovës.

Procesi zhvillohet në Gjykatën Themelore Shkupi 1, mirëpo për shkak të mungesës së sallës adekuate, seanca e sotme gjyqësore mbahet në godinën e Gjykatës Supreme, njoftoi për “Lajm” avokati Naser Raufi. Sot në gjykatë janë paraqitur 29 persona të akuzuar për ngjarjet në Lagjen e Trimave në Kumanovë që u zhvilluan gjatë muajit Maj të vitit të kaluar. Gjithsej në këtë rast akuzohen 40 persona të ndarë në tre grupe: në grupin e parë 29 persona, në grupin e dytë 8 dhe në grupin e tretë 3 persona. 17 prej tyre janë shtetas të Kosovës, një shtetas i Shqipërisë, një i Gjermanisë dhe 20 shqiptarë shtetas të Maqedonisë.

Forca të mëdha policore nuk vërehen vetëm para gjykatës, por edhe në pika tjera kyçe në Shkup.

Të akuzuarit do të gjykohen për veprat penale “organizim terrorist” nga neni 394-a dhe për “terrorizëm” nga neni 394-b sipas Kodit Penal i Maqedonisë. Më 7 dhjetor të vitit 2015 që të gjithë 29 të akuzuarit për terrorizëm para Këshillit Gjyqësor të Gjykatës Themelore Shkupi 1 janë deklaruar se nuk ndjehen fajtor për veprën “terrorizëm”.

Sipas prokurorisë grupi i njëjtë ka marrë pjesë edhe në sulmin e karakollit në Gushincë. Nga ana tjetër pala mbrojtëse hedh poshtë akuzën për terrorizëm, avokatja Artene Ademi-Iseni madje u ankua për torturë dhe dhunë ndaj të akuzuarve gjatë transportimit të tyre nga burgu deri në Gjykatë.Në përgjithësi, pala mbrojtëse deri më tani kërkonte lëndën ta merr Prokurorja speciale Katica Janeva pasi sipas tyre ngjarjet kanë prapavijë tjetër nga ajo që përfaqëson Prokuroria publike e RM-së. Se të akuzuarit kanë qenë lëndë e sjelljes së dhunshme e konfirmoi edhe Avokati i Popullit.Përveç opinionit dhe familjeve të viktimave, në pritje të epilogut të gjykimit janë edhe banorët e Lagjes së Trimave në Kumanovë. Një pjesë e të cilëve janë në paraburgim të akuzuar si bashkëpunëtorë.

Nga të gjithë të arrestuarit për rastin Lagja e Trimave, Prokuroria publike e RM-së nuk ngriti aktakuzë vetëm për një person. Pas pesë muajve të kaluar në paraburgim, u la i lirë vetëm polici Afrim Sulejmani. Për të gjithë të akuzuarit e tjerë, Gjykata pranoi të gjitha provat që i dorëzoi Prokuroria publike.

Më 9 dhe 10 Maj të vitit të kaluar në Kumanovë, në Lagjen e Trimave të banuar kryesisht me shqiptarë, një grup i armatosur u përplas me forcat e sigurisë. Gjatë këtij incidenti humbën jetën 8 policë të njësive elitare të policisë, derisa 14 të tjerë u plagosën rëndë. Të vrarë mbetën edhe 10 persona të grupit të armatosur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat