Grubi: Partitë maqedonase të papërgjegjshme, mendojnë për pushtet, e jo për shtet

Maqedonia

Grubi: Partitë maqedonase të papërgjegjshme, mendojnë për pushtet, e jo për shtet

Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 20:54

Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim Artan Grubi, sot në Kuvendin e Maqedonisë ka zhvilluar takim pune me Graham Stajls, drejtues i Sekcionit për Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri në Drejtorinë Evropiane për Ballkan Perendimor pranë Ministrisë së Jashtme Britanike.

Grubi dhe Stajls shkëmbyen mendime rreth krizës aktuale politike në Maqedoni, reformave sistemore dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, por edhe për rëndësinë e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Grubi njoftoi mysafirin nga Londra për zhvillimet që sollën deri tek kriza më e rëndë politike në vend dhe tek marrëveshja e arritur me ndërmjetësim ndërkombëtar për ta përfunduar krizën nëpërmjet të realizimit të reformave sistemore dhe mbajtjes së zgjedhjeve të besueshme, fer dhe demokratike.

Deputeti Grubi theksoi që vazhdimi i përplasjes midis partive më të mëdha maqedonase është i pakuptimtë dhe po e mban vendin, qytetarët dhe proceset peng sepse që të dyja mendojnë për pushtet, e jo për shtet dhe kjo duhet të merr fund gjithashtu edhe nëpërmjet të mbajtjes së përgjegjësisë politike dhe ligjore për çdo ndërlidhje me shkaqet që sollën deri te kriza.

Njëkohësisht, përgjegjësi duhet të mbahet edhe për porositësit dhe autorët e falsifikimeve që kanë për qëllim prodhimin e shpifjeve të paskrupullta kundër përfaqësuesve politik dhe shoqëror shqiptar.

BDI konsideron që zgjedhjet më 24 prill do ti japin fund krizës dhe do të hapin rrugën për themelim të institucioneve stabile që do të ballafaqohen suksesshëm me mbajtjen e rekomandimit nga ana e Komisionit Evropian në samitin e BE në Qershor, do të avancojnë vendin drejt NATO-s në Samitin e korrikut, do të ballafaqohen me sfidën e refugjatëve nga lindja e mesme, por edhe do të përmbushin pritjet e qytetarëve për stabilitet dhe siguri në vend.

Andaj institucionet e vendit duhet që të japin mbështetje të plotë për Komisionin Shtetëror Zgjedhor që të përgatitet me kohë për mbajtjen e zgjedhjeve në përputhje me pritjet ndërkombëtare.

Artan Grubi shprehu përkrahjen që BDI i ka dhënë themelimit të institucionet të Prokurorisë Speciale dhe ftoi gjithë shoqërinë, partitë, opinionistët dhe mediat që të mbështesin punën transparente dhe të paanshme të kësaj zyre, pa asnjë paragjykim politik, etnik ose fetar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat