Avokati i Popullit: Qytetarët të denoncojnë çdo parregullsi- para gjatë dhe pas zgjedhjeve

Maqedonia

Avokati i Popullit: Qytetarët të denoncojnë çdo parregullsi- para gjatë dhe pas zgjedhjeve

Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 13:06

Me qëllim që t’i informojë qytetarët për rëndësinë e së drejtës zgjedhore, mënyrën e realizimit dhe mbrojtjen e kësaj të drejte, Avokati i Popullit ka mbajtur konferencë për shtyp.

Avokati i Popullit, Ixhet Memeti është zotuar se me efikasitet do të intervenojë në të gjitha rastet e denoncimit të shkeljeve të të drejtave të njeriut. Ai pret që të njëjtën ta bëjnë edhe institucionet tjera kompetente.

Memeti ka bërë me dije se vetëm me anë të zgjedhjeve të lira fitohet legjitimiteti i pakontestueshëm dhe real.

“Secili ka të drejtë të deklarohet për opsionin e tij dhe për këtë të mos vuaj kurrfarë pasoja. Qytetarët janë ata të cilët vendosin. Askush nuk guxon në emër të tyre përmes formave të ndryshme të presionit, shantazhit dhe kërcënimit të vendos. Pikërisht për këtë edhe ju inkurajojë që çdo formë të presionit dhe shkeljes së rregullave ta denonconi menjëherë dhe pa mëdyshje, mes tjerash edhe përmes linjës telefonike falas 0800 54321 tek Avokati i Popullit dhe drejtpërdrejt në zyrat rajonale. Të respektuar qytetarë, mos heshtni, bëjuni aktiv meqë përmes denoncimit e mbroni të drejtën tuaj, ndërsa njëkohësisht kontribuoni në demokratizimin e procesit zgjedhor në tërësi”, tha Memeti.

Sipas tij, që të mund institucioni Avokati i Popullit t’i mbrojë qytetarët ata duhet të informohen me të drejtat si zgjedhës dhe t’i denoncojnë të gjitha presionet dhe keqpërdorimet.

Memeti më tej thekson nevojën e bashkëpunimit më të madh, para së gjithash të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ministrisë së Punëve të brendshme dhe institucioneve tjera kompetente, në drejtim të parandalimit të çdo parregullsie- para gjatë dhe pas zgjedhjeve.

“Demokraci e mirëfilltë pluraliste nuk mund të arrihet vetëm me deklarim, por e njëjta pikë së pari kërkon përgjegjësi dhe llogaridhënie të të gjithëve, dhe veçanërisht të pushtetit ekzekutiv”, përfundoi Memeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat