Gjendja në Gjevgjeli, taksistët sërish shprehën revoltin e tyre

Maqedonia

Gjendja në Gjevgjeli, taksistët sërish shprehën revoltin e tyre

Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 08:52

Pas protestave të djeshme të tensionuara në vijën kufitare me Greqinë, taksistët e zemëruar sot sërish shprehën revoltin e tyre. Rreth 250 transportues kaluan përmes rrugës që shpie drejt vendit ku i presin refugjatët dhe kërkuan që të marrin pjesë në transportimin e refugjatëve deri në kufirin serb bashkë me Hekurudhat e Maqedonisë, me çmim të njëjtë prej 25 euro për një udhëtar.

Protesta u mbajt nën sigurim të fuqishëm policor, pasi dje transportuesit me taksi tentuan ta bllokojnë hekurudhën që shpie drejt kampit të refugjatëve.

Gjatë ndërhyrjes së policisë dy persona u lënduan më lehtë, ndërsa një tjetër u arrestua. Taksistët kërkojnë përgjigje se kush ka urdhëruar që të mos respektohet marrëveshja ndërmjet tyre dhe kompetentëve, me të cilën gjatë ditës transportin duhej ta bënin ata, ndërsa gjatë mbrëmjes refugjatët deri në kufirin verior do të transportoheshin me tren. Ata kërcënohen se nëse nuk vazhdojnë të vozisin, do të mbajnë protesta të përditshme të qeta.

“Kërkojmë që të kthehet vendimi i Shtabit kryesor të QMK-së. Ne, taksistët dhe autobusët të vozisim refugjatë siç ishte kontraktuar. Me Kushtetutë na është garantuar që të fitojmë për kafshatë të bukës, ashtu siç nga kjo punë fitojnë njerëzit si ne në të gjitha vendet tjera ku kalojnë refugjatët”, tha një taksist.

Nga ana tjetër sot në mëngjes ARM-ja filloi me vendosjen edhe të një shtrese të rrethojës me tela në kufirin me Greqinë dhe krijimin e njëfarë zone neutrale ndërmjet rendit të parë dhe të dytë. Përmes vendkalimit të improvizuar në kufirin maqedonaso-grek nuk pushon vala e refugjatëve, ndërsa sipas të dhënave të UNHCR-së për vetëm 12 orë përmes këtij kampi kanë kaluar më shumë se 2.500 refugjatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat