6 mijë qen endacakë në rrugët e Shkupit

Maqedonia

6 mijë qen endacakë në rrugët e Shkupit

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 19:02

Në mungesë të hapësirës adekuate, qentë endacak bredhin rrugëve gjatë gjithë kohës. Gjatë ditëve të dimrit ata pothuajse tërë kohën gjenden pranë koshave të mbeturinave apo hyrjeve të banesave, duke kërkuar ushqim dhe strehim.

Qytetarët e anketuar thonë se në mungesë të ushqimit, qentë endacak shpesh bëhen agresivë ndaj tyre, madje ata thonë se shpeshherë fëmijët dhe më të moshuarit bien pre e sulmeve të tyre.

“Janë shumë të rrezikshëm qentë endacak, atje tek "cigllana" natën njeriu nuk mund të kalojë! Ata qen duhet të grumbullohen dhe të dërgohen diku dhe të kontrollohen, mos të lëshohen në rrugë. Ata mund të kafshojnë ndonjë fëmijë, ata janë të tërbuar, disa nga ata qen kanë shenja që janë të kontrolluar, por nuk u besojmë atyre, kur nuk u besojmë këtyre tjerëve, as atyre nuk ju besojmë.”

“Këtu në Çair qentë endacak shpesh dinë të jenë më agresiv, ndoshta këtu askush nuk i ushqen ata, dhe ndoshta vet njerëzit sillen në mënyrë më agresive ndaj këtyre kafshëve.”

Qytetarët gjithashtu thonë se alternativë e vetme është trajtimi i tyre, vaksinimi apo sterilizimi dhe hapja e më shumë qendrave për strehim.

“Duhet të ketë më tepër shërbime që do t’i mbledhin qentë endacak. Ata paraqesin rrezik për fëmijët dhe personat e moshuar.”

“Jo vetëm për fëmijët por edhe të rritur sulmojnë. Mua personalisht, në lagjen ku jetojë, një qen më kafshoi. Askush nuk morri përgjegjësi.”

Por organizatat që mbrojnë kafshët thonë të kundërtën. Nga ‘Asociacioni i aktivistëve për mbrojtjen e kafshëve’ thonë se qentë endacak janë të pafajshëm, kurse për agresivitetin e tyre fajtorë bëjnë faktorin njeri, përkatësisht organet kompetente që duhet të kujdesen për ta.

“Gjeneza e problemit fillimisht është tek pronarët e këtyre qenve, ne si shoqatë të paktën nga 4 herë gjejmë para shportave të mbeturinave, nëpër kuti kartoni këlyshë të braktisur d.m.th dikush ka lejuar që qeni i tij të shumohet dhe pasi fëmijët e tyre të luajnë me ata, i braktisin dhe kështu nis gjithçka, nis paraqitja e qenve endacak nëpër rrugë”, tha Meri Jordanovska.

Nga ‘Asociacioni i aktivistëve për mbrojtjen e kafshëve’ thonë se Maqedonia deri më tani ka miratuar të gjitha ligjet evropiane lidhur me mbrojtjen e kafshëve por akuzojnë kompetentët se ato kanë mbetur vetëm në letër dhe nuk zbatohen në praktikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat