Investimet e huaja, Qeveria e Maqedonisë fsheh ndihmën financiare

Maqedonia

Investimet e huaja, Qeveria e Maqedonisë fsheh ndihmën financiare

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 23:55

​Edhe pas 7 viteve nga modeli i Qeverisë për tërheqjen e investimeve të huaja në Maqedoni, mbetet sekret cila kompani e huaj sa para ka marrë nga shteti në formë ndihme. Alsat M kërkoi qëndrim nga Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës rreth subvencioneve të përgjithshme shtetërore që i kanë marrë kompanitë e huaja në vend, por morëm përgjigje se ajo është sekret afarist.

“Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës në bazë të Ligjit për kontrollin e ndihmës shtetërore përgatit vendim për ndarjen e ndihmës shtetërore dhe e dorëzon te dhënësi i ndihmës shtetërore. Në bazë të këtij vendimi, Komisioni dorëzon letër shoqëruese në të cilën çdo dhënës ka të drejtë të nënvizojë çka sipas tyre është sekret afarist që nuk mund të publikohet”, deklaruan nga Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës.

Hulumtimi i Qendrës për analiza ekonomike, tregon se ndihma e përgjithshme shtetërore të cilën e kanë marrë shtatë kompani të analizuara në baza të ndryshme, nga viti 2007 deri në vitin 2014 është 56 milionë euro ose një vend pune në këto shtatë kompani shtetin i kushton 21 mijë euro. Nga Qendra porosisin se opinioni ka të drejtë të dijë sa subvencione marrin kompanitë e huaja dhe si lidhen kontratat për këtë.

“Askush nuk morri kurrfarë përgjegjësie nga informatat e shumta të Entit shtetëror të revizionit për mangësi të caktuara në vetë sistemin. Nga revizorët është nënvizuar se nuk ka kritere sesi zgjidhen kompanitë e huaja dhe si nënshkruhen marrëveshjet. Nuk ka transparencë. Enti shtetëror i revizionit edhe këtu nuk ka informata se te ndihma shtetërore tregohen të dhëna joadekuate që duhet të tregohen. Kur ju shfrytëzoni resurse shtetërore që na takojnë të gjithë neve, nuk mund të jetë arsyetim se këtu paska mbrojtje të të dhënave private për kompanitë”, deklaroi Narjan Nikolov, Qendra për analiza ekonomike.

Një nga arsyet kyçe të Qeverisë për modelin e investimeve të huaja, ishte se ato do ta rrisin eksportin dhe ekonominë dhe do të hapin vende të reja të punës. Analiza tregon se efekti i përgjithshëm neto nga shtatë kompani të huaja është 124 milionë euro, që do të thotë se ndikim pozitiv në ekonomi kanë vetëm tre nga shtatë kompa nitë e analizuara. Ndryshe, sipas të dhënave të fundit nga Banka Popullore, bilanci i përgjithshëm i investimeve të huaja në 11 muajt e vitit të kaluar ka qenë 142 milionë euro, që është për 32 milion euro më pak sesa në periudhën e njëjtë të vitit 2014.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat