Bedredin Ibrahimi: Do të shmanget djegia e votës shqiptare

Maqedonia

Bedredin Ibrahimi: Do të shmanget djegia e votës shqiptare

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 09:58

KSHZ-ja ka propozuar bartjen e votuesve nga njësitë zgjedhore 6 dhe 2, në njësitë tjera ku numri i votuesve është shumë më i vogël se sa në këto dy njësi ku gravitojnë shumicë e popullatës shqiptare, në mënyrë që numri i votuesve të bëhet afërsisht i barabartë. Anëtari i KSHZ-së Bedredin Ibraimi vlerëson se kështu do të shmangej djegia e vazhdueshme e votës së shqiptarëve që bien në këto njësi zgjedhore pasi që dallimi në numra nga njësia në njësi është ekstrem. Njësia numër 2 kap pjesën e Çairit dhe pjesën e Karadakut, ndërsa njësia 6 përshinë pjesën e Pollogut që shtrihet deri në Dibër. Ibraimi thotë se ligji është përkufizuar saktë se sa duhet të jetë numri i votuesve, por në praktikë kjo gjë asnjëherë nuk gjen zbatim.

“Më herët kur këto njësi kanë tejkaluar limitin e paraparë me ligj, minus ose plus 5% KSHZ ka informuar organin kompetentë, qeverinë gjegjësisht ministrinë e drejtësisë të cilën prej vitit 2002 e deri këndej e kanë mbuluar ministra shqiptar. Ndryshimet janë bërë dhe është plotësuar ajo që e kërkon ligji që të ulet nën 5% por assesi të balancohet, pra të intervenohet në njësinë numër 4 dhe 3. Pra janë bërë ndryshime kozmetike pasi që këto njësi gjithmonë kanë qenë me këto numra më tepër se sa njësitë e tjera”, deklaroi për Tv Shenja, anëtari i KSHZ-së, Bedredin Ibrahimi.

“Njësia 6 në raport me njësinë 4 aktualisht ka 34 226 votues më tepër, kurse 35 769 më tepër se njësia numër 3. Kurse njësia numër 2 ka më tepër votues, 28 636 në raport me njësinë 4, ndërsa në njësinë 3 ka më tepër 30 779 votues. Kjo do të thotë se këto vota në zgjedhjet e ardhëshme nuk do të kenë asnjëfarë peshe nga shkaku se çdo njësi zgjedhore nxjerr numrin e njëjtë të deputetëve”, shtoi më tej Ibrahimi, njofton shenja.tv.

Ibrahimi ka një propozim personal që çdo votë e shqiptarëve të numërohet në mënyrë të barabartë. Sipas tij është më e lehtë që të ndryshojë numri i deputetëve që do të dalin nga çdo njësi zgjedhore se sa të barten votues. Për shembull nëse nga një njësi dalin 20 deputet, varësisht nga numri i votuesve të ulet edhe numri i deputetëve. Në mënyrë që vota e qytetarëve shqiptarë të mos shkojë huq, partitë shqiptare kohë më parë propozuan model të një njësie zgjedhore ku secila votë në Maqedoni do të jetë e barabartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat