Kushtet në institucionet arsimore: Përplasen Lëvizja Besa dhe Komuna e Gostivarit

Maqedonia

Kushtet në institucionet arsimore: Përplasen Lëvizja Besa dhe Komuna e Gostivarit

Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 16:56

Lëvizja Besa Gostivar ka njoftuar se ditët e kaluara, në zyrën e Besës një numër i madh i prindërve të fëmijëve në Çerdhen Bleta dhe nxënësve në Shkollën fillore Bashkimi në Gostivar kanë shprehur pakënaqësinë dhe shqetësimin e tyre në lidhje me funksionimin e sistemit për nxehje në këto institucione arsimore.

“Lëvizja Besa me qëllim të artikulimit të drejtë të problemeve që prekin qytetarët e Gostivarit, në veçanti fëmijët në çerdhe dhe nxënësit që paraqesin ardhmërinë më të ndritshme, thirrën për marrjen mbi vete të përgjegjësisë së plotë publike dhe shoqërore për korrigjimin e këtyre gabimeve dhe mospërsëritjen e të njëjtëve në të ardhmen nga ana e institucioneve përkatëse. Gjithsesi, sugjerimet që u janë bërë prindërve nga zyrtarët e institucioneve që “fëmijët të veshën më mirë për shkak se kemi nxehje alternative” nuk është arsye e shëndoshë. Është mëkat dhe gabim shumë i madh i pushtetit lokal dhe atij qendror që për shkak të mos ndjekjes të procedurave burokratike të vuajnë fëmijët dhe të humbin nga procesi mësimor i tyre”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

Dega në Gostivar shpreh pakënaqësinë e vetë me rastin e këtij keq menaxhimi me proceset shoqërore dhe sigurimin e të drejtave të qytetarëve, sidomos të atyre proceseve që prekin pjesën më me vlerë të shoqërisë tonë siç janë fëmijët në çerdhe dhe nxënësit në shkollat fillore.

“Institucionet le të merren më shumë me përgjegjësitë që u takojnë atyre se sa me bërjen e politikave të mëdha parazgjedhore”, porositin nga aty.

Akuzave të Besës u është përgjigjut Komuna e Gostivarit. Në kundër-reagimin e tyre thuhet se drejtoritë e dy institucioneve të lartpërmendura, hedhin poshtë si të pavërteta këto pohime duke konfirmuar me vërtetësinë më të madhe që në ditën e kaluara nuk ka pasur asnjë ndërprerje të nxehjes qendrore.

“Sektori për Arsim, Kulturë dhe Sport në Komunën e Gostivarit, apelon deri tek drejtuesit e këtij subjekti pa përfillje elektorale, të merret me projekte dhe ide me të cilat do të duhet të garojnë në zgjedhjet e ardhshme, por jo me shpifje dhe trillime, sepse çdo nxënës, çdo prind dhe çdo qytetar i Gostivarit është dëshmitar i të vërtetës dhe nuk lejon të krijohet huti në opinion me sajime të kësaj natyre”, njoftojnë nga Komuna e Gostivarit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat