Ostreni: Fatmir Deharin dhe Hazbi Likën i kemi miq, bashkimi i opozitës nuk varet nga "dashuritë e vjetra"

Maqedonia

Ostreni: Fatmir Deharin dhe Hazbi Likën i kemi miq, bashkimi i opozitës nuk varet nga "dashuritë e vjetra"

Nga: Intervistoi Fitim Dika Më: 4 shkurt 2016 Në ora: 15:01

Në një intervistë ekskluzive për Bota sot, gjenerali Gezim Ostreni ka treguar situatën politike në Maqedoni. Ai nuk përmend fjalën bojkot, sa u takon zgjedhjeve të 24 prillit, por thotë se nuk do njohë zgjedhjet me këtë listë zgjedhore. Rreth bashkëpunimit opozitar, ai thotë se kjo varet pas krijimit të statutit partiak, 14 shkurt.

“Bota sot”: Edhe pse parti e re, “UNITETI” ka hapur degë në Dibër, Gostivar, Shkup dhe shumë vende tjera. Si i shikoni hapat e para të partisë?

Gëzim Ostreni: Është e vërtetë se ne jemi parti e re, por për një kohë shumë të shkurtër arritëm ta bëjmë regjistrimin e partisë sonë me emrin “UNITETI” dhe shpejt arritëm ti mbledhim nënshkrimet për regjistrimin e nevojshëm. Kërkesat për ligjin e partive neve nuk na kënaq, për shkak se jep bazë vetëm juridike, ndërsa neve na intereson dhe na nevojiten edhe legjitimitetin e anëtarëve të partisë. Andaj ju qasëm formimit të degëve, duke i formuar thuajse te të gjitha komunat, ku tani jemi në fazën e zgjerimit të nëndegëve që funksionojnë në lagjet e qyteteve. Në anën tjetër përgatitemi të thërrasim kongresin e parë, i cili ka për qëllim të konstruktojë dhe të formojë statusin e partisë me kushtet aktuale. Ky kongres do mbahet në 14 shkurt, me ç’rast do i vendos themelet e para të organizimit strukturor dhe politik të Unitetit të mbështetura nga anëtarët e partisë.

“Bota sot”: Pak para se të krijohej “UNITETI” përflitej se edhe personalitete si Hazbi Lika, ish kryetari i Tetovës dhe Fatmir Dehari, kryetari i Kërçovës, do ju bashkangjiteshin në promovimin e partisë. Deri tani kjo gjë nuk ka ndodhur. A janë penduar ose pritet në ditët vijuese kalimi i funksionarëve tjerë nga BDI drejt partisë suaj?

Ostreni: Uniteti nuk është krijuar si fraksion i BDI -së, ajo është parti e re, në të cilën kanë të drejtë të bëjnë pjesë të gjithë qytetarët, që pranojnë statusin dhe programin politik tonin. Po të ishte fraksion, atë çështje do e zgjidhnim brenda BDI në kongres me program të veçantë, për të cilën do sqaroheshin delegatët e kongresit që do merrnin pjesë. Meqë vlerësuam se është e pamundur të bëhen ndryshime brenda BDI, ne vendosëm të krijojmë parti të re, ku janë pjekur kushtet që personat të mos jenë mitëmarrës dhe bartës të veprimeve jo morale të cilat nuk i preferojnë qytetarët. Lidhur me emrat që pyetët është çështje e tyre, sesi vendosin dhe çfarë bëjnë, ne i kemi miq dhe nuk duam dhe as që tenton ndokush të bëjë ndryshime të përkatësisë së tyre.

“Bota sot”: Zoti Gjeneral, para pak kohësh u takuat në Shkup me kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilal Kasami, duke munguar Lëvizja për Reforma PDSH dhe RDK. Tregon kjo se "dashuritë e vjetra akoma janë prezentë te forcat opozitare"?

Ostreni: Takimet tona nuk kanë të bëjnë me të kaluarën me të gjithë partitë opozitare. Ata janë të nevojshme për tu njoftuar me partitë tjera opozitare. Të kemi një njohje mes liderëve që do ndikojë në marrëdhëniet më të mira mes partive. Afrimi mes dy partive varet nga ngjashmëria e programeve të partive politike. Tash për tash nuk mund të flasim me asnjë parti, pasi siç u tha në 14 shkurt e kemi kongresin i cili do ta bën të plotfuqishme programin politik, pastaj do hapet rruga për të biseduar me gjithë partitë opozitare.

“Bota sot”: Në rast se mbahen zgjedhjet në 24 prill, që ngulmon me çdo kusht BDI –ja dhe VMRO -ja, a do i bojkotoni zgjedhjet?

Ostreni: Ne nuk flasim për bojkot të zgjedhjeve, pretendimi ynë është krijimi i kushteve për zgjedhje në kushte të lira, fer dhe demokratike. Këtu ngec puna. Për shkak se sipas të dhënave që dalin nga përgjimet, të bëra publike mund të përfundohej se partitë në pushtet i kanë keqpërdorur votat e qytetarëve, kanë bërë numër të madh të falsifikimeve, për të cilën gjë, flet numri i madh i qytetarëve me të drejtë vote në krahasim me popullsinë e RM -së, si dhe, numri i poashtu i madh të letërnjoftimeve të falsifikuara në zgjedhjet e kaluara. Këtu duhet përmendur, se sipas përgjimeve, edhe ky parlament nuk do duhej të jetë legjitim kur dëgjohet se dikush ka pasur mundësi të merr kutinë me fletvotime dhe ndokush të rregullojë votat në atë kuti. Uniteti mendon se pa pastrimin e listave zgjedhore zgjedhjet nuk do jenë të lira dhe demokratike dhe sigurisht që nuk do legjitimohen rezultatet e zgjedhjeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat