Tetova sonte u rreshtua dhe besatua fuqishëm në anën e Lëvizjes Besa

Maqedonia

Tetova sonte u rreshtua dhe besatua fuqishëm në anën e Lëvizjes Besa

Më: 2 dhjetor 2015 Në ora: 00:21

Sonte Lëvizja BESA qëndroi në qytetin e Tetovës, ku u formua Këshilli Komunal për Komunën e Tetovës. Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe disa nga anëtarët e kryesisë qendrore të Lëvizjes BESA, përfaqësues të partive opozitare, të organizatave joqeveritare, intelektual, artist, dhe gazetar.

Fillimisht fjalën e mori anëtarja e kryesisë qendrore nga Gostivari, Ermira Asani Salija e cili tha se: “Prandaj, të gjithë ju që doni ta ndihmoni çështjen shqiptare, t’i ndihmoni shqiptarët e Maqedonisë, atdheu i kësaj veprimtarie është Lëvizja BESA. Unë ju ftoj që mos të ngurroni, por të bashkoheni, sepse të rrish indiferent është njësoj sikur të jesh në anën e të ligës. Unë uroj që askush të mos e dojë atë anë”.

Më tutje para të pranishmëve anëtari i Trupit Koordinues, Skender Rexhepi – Zejd në fjalën e tij theksoi: “Dikush mund të pyes vallë a ka dallim mes tubimeve të BDI-së dhe tubimeve të BESËS. Po, po, ka dallim, edhe atë dallim shumë të madh. Në tubimin e BDI-së, sheh fytyra të ftohta, pa disponim dhe e vëren që prezenca e shumicës së tyre është e detyrueshme, sepse ata në tubimet e tyre sjellin njerëz me: PREMTIM, se do të punësojnë, pozicionojnë e kështu me radhë. Kushtëzim se do ti përjashtojmë nga puna ose do tua ndërrojnë vendin e punës. KËRCËNIM se do tu hakmerren familjarëve të tyre, bile në listë të hakmarrjes, ata i fusin edhe kushërinjtë, tezakët, bile edhe më largët. Tubimet e Lëvizjes BESA janë krejt ndryshe. Askujt nuk i është premtuar asgjë, askush nuk është kushtëzuar e as kërcënuar. Prandaj sot shihen fytyrat tuaja të gëzueshme, prandaj të jesh me BESË ky është dallimi”.

Më tutje Rexhepi – Zejd ka folur lidhur edhe me bashkëpunimin e mundshëm opozitare ç’rast tha: “Lëvizja BESA është modeste dhe për fat të keq këtë modesti po e keqpërdorin partitë tjera opozitare. Kur them opozitare këtu po e thej një rregull, po e fus edhe PDSH-në. Po çfarë keni me BESËN bre burra, a pak keni me çka të merreni me partinë në pushtet që ju të merreni me BESËN? Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi kërkon “patronat” e BESËS, e po ja unë e them publikisht se pranoj përballje publike jo me Thaçin, por me atë që i rri mbrapa atij, e ju e dini shumë mirë se kush është ai! Pikërisht, për hir të njerzillëkut të Lëvizjes BESA është inicuar edhe formimi i Këshillit Mbipartiak, organ i cili edhe pse është i inicuar nga Lëvizja BESA, ai duhet të jetë në shërbim të gjithë atyre të cilët e pranojnë këtë Këshill. Në këtë Këshill Mbipartiak nuk do të ketë parti të mëdha apo të vogla, shoqata të mëdha apo të vogla, apo personalitete të mëdha apo të vogla. Ditëve të fundit hasim në komente të ndryshme mbi Këshillin Mbipartiak, dhe fatkeqësisht ato komente vijnë nga njerëz të cilëve më së paku u takon që të merren me opozitën. Ata duhet që sëpari të shohim hallin e tyre dhe shqiptarëve tu sqarojnë qoftë vetëm një rast në cilindo vend në botën e civilizuar ku një parti apo lëvizje politike themelohet dhe regjistrohet me qëllim për të reformuar një parti tjetër ekzistuese. Kjo është abstrakte e jo Këshilli Mbipartiak i themeluar për qëllime fisnike. Ai kërkon që Prokuroria të merret me Lëvizjen BESA, se ku i paska marr 2 milion? Si mund të akuzohet kështu, prandaj po i them se BESA nuk i ka 2 milion, por 20 milion euro, buxheti i BESËS varet nga ju, nga vullneti juaj për ta ndihmuar BESËN ”.

Pas kësaj u bë prezantimi i Këshillit Komunal i Komunës së Tetovës, i përbërë nga gjithsej 98 anëtarë, i cili për koordinator kishte zgjedhur një personalitet të rëndësishëm të këtyre zonave siç është Azbi Mahmudi. Pas kësaj, koordinatori i posazgjedhur Mahmudi deklaroi: “Tetova është një ndër qytetet më të rëndësishme të rrjedhës politike dhe ekonomike të shqiptarëve në Maqedoni… Pikërisht për këtë dega e Tetovës është shumë e rëndësishme dhe kërkon angazhim maksimal që ne nuk do të ngurojmë aspak për të arritur suksesin në zgjedhjet e ardhme, dhe më pas organizimin e jetës sa më të mirë për shqiptarët e kësaj ane.”

Të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. Me këtë rast ai theksoi se: “Siç e dini, në Tetovë nisën protestat e para kundër regjimi shtypës jugosllav që më 1968, e pastaj vazhduan në Prishtinë në vitin 1981. Në Tetovë në vitin 1937 është themeluar organizata e parë politike shqiptare BESA. Të parët që sollën abetaren në këto troje ishin po këta veprimtarë të Besës, të parët që e ngritën Flamurin dhe u betuan në Zot dhe në Flamur ishin veprimtarët e organizatës BESA. Dhe, nuk është krejt e rastit që sot është përsëri BESA. Tetova ndër shekuj ishte qendër e kulturës, e ekonomisë dhe sportit.

Qysh para 100 vitesh në malin Sharr kishte mbi 1 milion bagëti, hidrocentrali i parë në Ballkan po ashtu u ndërtua më 1927 në Malin Sharr. Edhe shpedicioni i parë dhe më i rëndësishëm që lidhte Selanikun dhe Nishin ishte në Tetovë… Prandaj ne jemi këtu, prandaj është themeluar BESA, prandaj sonte e kemi këtë këshill para nesh. Që Tetovës dhe të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë t’ua kthejmë shpresën, krenarinë dhe dinjitetin. Që të dëshmojmë se nuk janë të gjithë shqiptarët aq pa dinjitet që, derisa një qytet i tërë helmohet, një ministër nuk ka guxim as të ofrojë dorëheqje morale. Që të dëshmojmë se ne nuk jemi si ata, që të dëshmojmë se ajo që neve na dallon prej atyre është guximi për të menduar lirshëm dhe për vepruar pa frikë.”

Krejt në fund fjalën e mori artisti, Zeqir Mehmeti i cili përgëzoi këtë nismë, si dhe i dhuroi një vepër artistik kryetarit, Bilall Kasami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat