Kush do ta zëvendësojë Gruevskin?

Maqedonia

Kush do ta zëvendësojë Gruevskin?

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 00:05

Nuk ka konfirmim për atë se kush do të jetë në krye të qeverisë së re kalimtare. Edhe pse në opinion dolën emra të caktuar si kandidatë potencialë si ai i Vlladimir Peshevskit, Majk Zafirovskit dhe Mihajllo Manevskit, këto për momentin, nuk janë konfirmuar nga kryeministri Nikolla Gruevski. Gjatë vizitës së paradokohshme në Bardhovcë, Gruevski tha se është duke menduar për zgjidhje kadrovike, por se është ende herët për publikimin e emrave.

“Jemi duke menduar për këtë çështje, dhe kur të vijë koha, do të dal me qëndrim”, thotë Gruevski.

Për zgjedhjen e ministrave të brendshëm dhe të punës dhe politikës sociale, u spekulua se këta do të jenë ekspertë, por më pas doli se u vendos për kuadër të ngushtë partiak. E tillë do të jetë edhe zgjedhja e kryeministrit të ri, i cili duhet të vijë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, për arsye se askush nga jashtë nuk do të kishte motiv të jetë kryeministër për tre muaj, kryetar teknik i Qeverisë, tha analisti Sasho Klekovski.

“Për atë periudhë, kryeministri do të ketë vetëm domethënie teknike dhe nuk besoj se do të ketë debat të madh se kush do të jetë në këtë vend. Në anën tjetër, edhe pse formalisht ende nuk ka nisur, ne veçse ndodhemi në fushatë parazgjedhore, ndërsa në VMRO-DPMNE figurë qendrore vazhdon të jetë Nikolla Gruevski. Kësaj radhe ai do të ketë rol të ngjashëm me liderët e partive të tjera, Zaevin e LSDM-së, Ahmetin e BDI-së dhe Thaçin e PDSH-së, të cilët fushatat i zhvillojnë jashtë Qeverisë. Tani do të kemi situatë ku Gruevski nuk do të jetë në Qeveri, për arsye se do ta udhëheqë fushatën”, shprehet Klekovski.

Sipas Naser Ziberit, edhe pse Gruevski nuk do të jetë në krye të Qeverisë teknike, ai si lider i VMRO-DPMNE-s, do të ketë ndikim dhe se edhe më tutje në plan të parë do të jetë politika e partisë së tij. Ajo do të jetë qeveri konfliktuoze ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, dhe nuk do të sjellë kurrfarë ndryshimesh kruciale, shton Ziberi.

Sipas Marrëveshjes së Përzhinës, kryeministri Nikolla Gruevski, deri në fund të vitit, duhet të japë dorëheqje, ndërsa qeveria e re duhet të zgjidhet, më së voni, deri më 15 janar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat