Nxënësit e Sllupçanit ecin me kilometra për në shkollë, komuna s’ka mjete

Maqedonia

Nxënësit e Sllupçanit ecin me kilometra për në shkollë, komuna s’ka mjete

Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 23:05

Vajza e vogël 6 vjeçe, e familjes Azemi, nga fshati Sllupçan për të shkuar në shkollë i bën më shumë se 2 kilometra. Nëna e saj thekson se vajza e tyre duhet të ecë gjatë për të arritur tek shkolla e fshatit “Faik Konica”. Ajo thotë se gjithnjë e ka frikë këtë rrugëtim të vajzës dhe se nuk mundet që t`i sigurojë transport për të apo shoqërimin e saj deri tek shkolla.

Sikur Lumnija 6 vjeçare janë edhe shumë fëmijë të tjerë të këtij fshati që kërkon organizimin e transportit nga autoritetet përgjegjëse arsimore, sepse sipas tyre, këtë e garanton edhe ligj për arsim fillor.

“S’kemi mundësi, po frikohem se ka shumë automjete edhe për atë arsye, se shkolla është larg edhe janë të vegjël. Shkojnë në këmbë, se vetura është e zënë kanë punë. Jo nuk kanë pasur asnjëherë transport. Sa udhëtojnë gjatë këto fëmijë deri në shkollë, 20 minuta deri te shkolla i ka”, thotë për TV21, nëna e Lumnijës.

Këta nxënës gjejnë rrugë dhe rrugica të ndryshme për të mbërritur sa shpejt tek shkolla. Por edhe këto rrugëtime të tyre janë me lodhje. I pyetëm vallë duan të kenë shkollën afër.

Drejtori i shkollës fillore të fshatit “Faik Konica”, Nagib Avdija theksoi se me ligj këtyre nxënësve u takon transporti deri tek shkolla dhe se ka bërë kërkesë deri tek Komuna e Likovës. Paragrafi i pestë i nenit 1 në Ligjin për arsim thekson se “nxënësi ka të drejtë për transport falas nëse vendbanimi është larg së paku dy kilometra nga shkolla më e afërt fillore”.

“Edhe pse ne kërkesat i kemi realizuar para vitit shkollor, kemi aplikuar për këtë problematikë, është e vërtetë se nxënësit e tonë vinë prej dy fshatrave, dhe shkolla është mes dy fshatrave. Po është e vërtetë se udhëtojnë mbi dy kilometra deri në tre kilometra. Do me thënë udhëtimi bëhet në këmbë edhe gjatë kohës së verës, edhe gjatë kohës së dimrit”, spjegon Avdija.

Ndërsa, nga drejtoria e arsimit të Komunës së Likovës theksuan se tani për tani nuk ka mundësi për të siguruar transportin për këto nxënës. Xhevdet Rahmani, përgjegjës për arsim në këtë komunë deklaroi në bisedën telefonike për TV21 se komuna nuk ndan mjete për kësi lloj transporti të nxënësve prej klasës së parë deri në të 5-tën, dhe se ata duhet të ecin në këmbë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat