Maqedoni, askush nuk ndërmerr asgjë për unifikimin e teksteve shkollore

Maqedonia

Maqedoni, askush nuk ndërmerr asgjë për unifikimin e teksteve shkollore

Më: 28 nëntor 2015 Në ora: 13:40

Nxënësit shqiptarë në Maqedoni vazhdojnë të mësojnë me gabimet skandaloze që hasen në tekstet e tanishme shkollore, dhe që janë të natyrës së ndryshme, duke filluar nga gabimet gjuhësore, konceptuale e deri te fyerjet.

Në Luginën e Preshevës nxënësit dhe qytetarët filluan të protestojnë duke kërkuar librat nga Kosova e Shqipëria, të cilat nuk i lejon Serbia të hyjnë në përdorim, kurse në Maqedoni, duke pasur një ministër shqiptarë, nuk ka asnjë lëvizje për një iniciativë të tillë, për unifikimin e teksteve shkollore.

Samet Jahiji, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë, dega Kumanovë, thotë se deri më tani duhej të ndërmerret një hap i tillë, pasi që gabimet hutojnë nxënësit si dhe shtrembërojnë historinë, ai shprehet se populli shqiptarë është dëshpëruar nga mos serioziteti i institucioneve shtetërore për të bërë unifikimin e teksteve shkollore.

“Librat kanë gabime skandaloze, duke filluar nga përkthimi e deri tek përmbajtjet fyese dhe të shtrembëruara. Një gjë e tillë duhet të ndalohet se mësimdhënësit nuk dinë se çfarë të ligjërojnë sepse këto libra janë në plan program. Ata detyrohen të krijojnë vetë materiale të sakta dhe verifikuara, por prapë nxënësit hutohen me ato që shkruan në libra”, tha për Portalb, Jahiji.

Ai shtoi se sidomos unifikimi i Abetares është i domosdoshëm.

“Probleme me libra kemi tani më një kohë të gjatë, LASH e Kumanovës edhe më herët ka theksuar se unifikimi i teksteve shkollorë duke filluar nga abetarja, do të ishte një zgjidhje e përhershme e problemeve tona”, shtoi Jahiji.

Edhe pse tani më një kohë u nënshkrua Marrëveshja në fushën e arsimit mes MASH-it të Maqedonisë dhe Shqipërisë, ende nuk ka asgjë konkrete se si mund të ndihmojë Shqipëria, Maqedoninë për përmirësimin e teksteve skandaloze.

Nga MASH nuk japin informacione se a do të bëhet një gjë e tillë si dhe a do të ketë unifikim të Abetares, gjithashtu edhe në ueb faqen e MASH-it nuk ka asnjë të dhënë për pikat që përmban kjo Marrëveshje.

Ndërkaq kohë më parë kryetari i LASH-it në Maqedoni, Nuhi Dardhishta foli për librat e Kembrixhit, të cilat u cilësuan si zgjidhje e problemit të gabimeve në tekstet shkollore, nga ana e MASH, dhe tha për Portalb se autorët shqiptarë janë të bllokuar nga vetë fakti se këto marrëveshje kanë mbyllur konkurset e autorëve vendas.

“Ky është një lloj diskriminimi si për neve shqiptarët ashtu edhe për maqedonasit. Pse të merren libra nga jashtë? Ata ndoshta janë shumë të mirë mirëpo neve nuk kemi kushte që të punojmë me to. Shkaku i këtyre marrëveshjeve, MASH ka mbyllur konkurset për autorët dhe në këtë mënyrë askush nuk mundet të jep programet e tyre të cilat mund t’i kenë realizuar në tekst shkollor”, theksoi Dardhishta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat