Përkeqësohet situata e refugjatëve në kufirin greko-maqedonas

Maqedonia

Përkeqësohet situata e refugjatëve në kufirin greko-maqedonas

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 19:03

Në kufirin midis Greqisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, në fshatin Idomeni, 86 km larg Selanikut, qindra marokenë, algjerianë dhe pakistanezë u përpoqën të sulmojnë forcat policore. Ata kërkonin të kalonin me forcë gardhin me tela me gjemba, që pengon rrugën e tyre drejt vendeve të Europës veriore.

Sherri mes tyre ka nisur pak pasi mbi 1500 emigrantë janë bllokuar në një zonë neutrale, pas vendimeve të disa shteteve europiane për seleksionimin e refugjatëve, duke pranuar vetëm ata që vijnë nga Siria, Afganistani dhe Iraku.

Disa ditë më parë, disa prej refugjatëve iranianë kanë qepur buzët e tyre në shenjë proteste. Ndërsa sot, qindra të tjerë, tashmë të irrituar me qëndrimin dhe pritjen në mes të të ftohtit dhe shiut, kanë qëlluar me gurë dhe shishe mbi forcat policore, duke shkatërruar gardhin me tela me gjemba.

Emigranët që flasin për mediat e huaja dhe ato vendase kërkojnë që të informohen udhëheqësit europianë se, qindra vetë po torturohen në kufirin greko-maqedonas dhe se duhet gjetur sa më shpejt një zgjidhje për ta.

kjo situatë nuk është vetëm më pikën kufitare të Idomenit në Greqi, pasi mijëra emigrantë të bllokuar ka edhe në dy shtetet e tjera ballkanike, si Kroacia dhe Serbia.

Sipas medieve vendase, Unioni grek për të Drejtat e Njeriut i kërkon Athinës zyrtare të lehtësojë kushtet dramatike të këtyre njerëzve. Aktivistët i kanë kujtuar qeverisë se, Greqia tashmë nga vend tranzit po rikthehet në vend pritës dhe ky fakt duhet marrë parasysh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat