Zoran Zaev krahason ‘Grupin e Kumanovës’ me ISIS!

Maqedonia

Zoran Zaev krahason ‘Grupin e Kumanovës’ me ISIS!

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 16:47

“Grupi i armatosur që luftoi në Lagjen e Trimave në Kumanovë më 9 dhe 10 maj të këtij viti janë të njëjtë me profilin e terroristëve të ISIS-it që sulmuan Parisin më 13 nëntor, ndërkohë që krerët e grupit të Kumanovës janë terroristë të ardhur nga luftërat e Sirisë dhe Irakut”.

Kështu ka deklaruar lideri i LSDM-së në Maqedoni Zoran Zaev, dhjetë ditë më parë në një fjalim në Lubjanë, tribunë kjo e organizuar nga instituti slloven IFIMES.

“Ngjarjet e Kumanovës janë gjithashtu një akt terrorist, njëjtë me atë që pamë në Paris, megjithëse me dëme më të vogla. Në Kumanovë vdiqën tetë pjesëtarë të forcave të sigurisë së Maqedonisë dhe 10 terroristë. U arrestuan më shumë se 30 terroristë, ndërsa u plagosën rreth 40 policë. Çfarë ndodhi? Një pjesë e atyre personave të cilët u futën në qendër të Kumanovës, qyteti i dytë për nga madhësia në Maqedoni, janë persona që janë kthyer nga Siria. Persona që kanë luftuar atje, ashtu sikurse janë me siguri edhe ata që u kthyen nga Siria dhe ndërmorën akte terroriste në Paris”, ka thënë Zaev gjatë fjalimit të tij, transmeton klankosova.

Ai në vazhdim ka krahasuar personat në Kumanovë, me personat që i vunë bombë aeroplanin rus që eksplodoi në ajër sapo u nis nga Egjipti.

“Ose, njëjtë sikur ata që vunë bombë në aeroplanin rus. Është keq që e them këtë, por ka lidhje midis rasteve. E para, qytetarët shqiptarë dhe ata maqedonas më 9 dhe 10 maj treguan solidaritet dhe bashkim. Një pjesë e atyre terroristëve janë të besimit mysliman dhe erdhën nga Kosova. Sigurisht, duke menduar se do të kenë mbështetje të qytetarëve shqiptarë të cilët jetojnë në Kumanovë, por edhe në Maqedoni, dhe në të njëjtën mënyrë sikurse në luftën e vitit 2001, do të shkaktojnë konflikt më të gjerë. Qytetarët shqiptarë dhe ata maqedonas u bënë bashkë, nuk dhanë asnjë mbështetje, ndërsa terroristët u eliminuam nga forcat e sigurisë së Maqedonisë. Për fat të keq, vdiqën tetë pjesëtarë të policisë, tetë djem të rinj të forcave tona të sigurisë”, ka thënë lideri i LSDM-së. Ndaj këtij shpjegimi të liderit të LSDM-së në këtë debat, ka ndërhyrë zyrtari i Ambasadës së Shqipërisë në Lubjanë, i cili i ka kujtuar Zaevit se qëndrimet që po shpalos në këtë tribunë dallojnë me qëndrimet e tij të mëparshme në këtë temë. Madje ai i kujtoi Zaevit se kishte qenë pikërisht ai që kishte akuzuar struktura të caktuara të shtetit të Maqedonisë të kenë ndihmuar grupin e armatosur në Kumanovë. “Është me rëndësi që për të gjitha çështjet e ndjeshme të flitet pa ndonjë paragjykim. Vërtetë edhe sipas meje, edhe sipas shumicës së qytetarëve të Maqedonisë, ky ishte një grup terrorist kriminal banditësh, të cilët kryesisht për qëllime të tyre hynë këtu për të shkatërruar bukvalisht jetën”, ka thënë Zaev, i cili këtë radhë ka mohuar që grupi të ketë pasur qëllime politike. Në vazhdim ai ka mohuar që feja islame të promovojë dhunën, por sipas tij janë individët ata që keqpërdorin fenë për të kryer akte terroriste.

“Sigurisht që radikalizmi i cili ekziston, është i pranishëm për shkak të sjelljes së disa individëve. Flas për radikalizmin që e shofim tek ISISI- shteti islamik, si edhe për fat te keq, edhe në vende tjera të botës. E pamë në Paris, por e pamë edhe në Kumanovë më 9 dhe 10 maj të këtij viti” është përgjigjur Zaev.

Ndryshe, Zaevi një ditë pas luftimeve në Kumanovë – me 11 nëntor, i shoqëruar nga zyrtarë tjerë të partisë, kishte vizituar Lagjen e Trimave në këtë qytet. Ishte takuar dhe fotografuar me shumë banorë të kësaj lagje, ndërsa atëkohë, kishte akuzuar partitë në Qeveri dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme se qëllimshëm kanë montuar rastin.

“Më vjen keq kjo që ka ndodhur në Kumanovë. Këtu kanë luftuar grupe kriminale me policinë, ndërsa situatën e kanë krijuar politikanë maqedonas dhe shqiptarë me qëllim që të ruajnë pushtetin. Një e dimë, Nikolla Gruevski, Gordana Jankullovska dhe Sasho Mijalkov kanë mundur të bëjnë më shumë që kjo të mos ndodhë. Kjo është arsyeja që kërkojmë dorëheqje të menjëhershme”, pati thënë Zaevi në mesin e qindra shqiptarëve të Kumanovës të cilët gati për një orë brohorisnin emrin e tij dhe e shoqëronin me duartrokitje.

Ndryshe, rasti i Kumanovës nuk është shembulli i vetëm ku lideri opozitar reteron nga qëndrimet e tij. Edhe për rastin “Monstra”, në një intervistë për gazetën gjermane “Die Zeit”, Zaev kishte thënë se “gjashtë shqiptarët e dënuar në rastin Monstra janë të pafajshëm” dhe se “ata padrejtësisht po qëndrojnë në burg”, ndërkohë që dy ditë më vonë, mohoi të ketë përmendur “pafajësinë” e tyre. Kështu ndodhi edhe me premtimet e tij lidhur me publikimin e përgjimeve që kishin të bëjnë pikërisht për këtë rast.

Në fillim të publikimit të “bombave”, Zaev siguroi se LSDM disponon me përgjime lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovcës, por që nuk i publikoi asnjëherë. Tashmë, kur u ndërpre publikimi i përgjimeve, ai zotohet se është punë e Prokurores speciale të hetojë rastin e “Monstrës”.

Pikërisht dje, Prokuroria Speciale njoftoi opinionin për rastet që deri tani i ka marrë për t’i hetuar, ndërsa në mesin e tyre nuk gjendet rasti “Monstra”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat