Konferencë rajonale “Reformat inkuadruese në Ballkanin Perëndimor”

Maqedonia

Konferencë rajonale “Reformat inkuadruese në Ballkanin Perëndimor”

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 13:46

Këmbimi i përvojave lidhur me reformat dhe qasja ndaj tyre në procesin e integrimit evropian pas prezantimit të raporteve është qëllimi i konferencës rajonale në temën “Reformat inkuadruese në Ballkanin Perëndimor”, që mbahet sot në Shkup në organizim të Sekretariatit për Çështje Evropiane, njofton MIA.

Zëvendëskryeministri për Eurointegrime Fatmir Besimi deklaroi se ky është takimi i parë i këtillë në Shkup, nismë e filluar së bashku me të gjitha vendet e rajonit, me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe të Qeverisë së Gjermanisë përmes Agjencisë GIZ dhe Fondit të hapur për projekte rajonale në Gjermani.

“Ideja e konferencës është që pas Raportit të KE-­së, vendet nga rajoni kandidatë për anëtarësim në BE t’i këmbejnë përvojat dhe në të njëjtën kohë si të qasen lidhur me paketën e reformave në mënyrë që të jenë më efikas në drejtim të reformave. Besojmë se kjo është një nismë që do të shtojë vlerë në aspektin e bashkëpunimit rajonal dhe në aspektin e paketës së reformave”, tha Besimi.

Zëvendësambasadori gjerman Hans­ Helge Sander, deklaroi se konferenca e pasqyron qëllimin e Berlinit zyrtar për nisjen e një strategjie të re në monitorimin e procesit të Berlinit duke injektuar një dinamizëm të ri në procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor përmes afrimit të strukturave të nivelit të lartë të vendeve nga rajoni të përfshirë në këtë proces.

“Shpresojmë se gjatë tërë vitit do ta sjellim bashkëpunimin rajonal në një nivel të ri në mënyrë që të përgatitemi për raportin e ardhshëm të KE për vendin. Do të krijojmë edhe një mirëkuptim të përbashkët për atë çfarë kërkon Komisioni për bashkëpunimin rajonal, që është qëllimi i procesit të Berlinit”, tha zëvendësambasadori Sander.

Për zëvendësministrin e Eurointegrimeve të Shqipërisë, Gentian Elezi, fakti se në pesë vitet e ardhshme nuk do të ketë zgjerim të BE-­së me anëtare të reja, nuk na dekurajon pasi që thotë, kjo e vërteton gjendjen me progresin në secilin prej vendeve të cilat nuk janë të gatshme për inkuadrim.

“Është e rëndësishme që procesi vazhdon më i fuqishëm se më parë. Kemi shumë sfida të përbashkëta si qeverisja e së drejtës, ekonomia dhe lufta kundër korrupsionit. Shqipëria i përforcon angazhimet për ballafaqim me këto sfida përmes reformave në sistemin gjyqësor”, thotë Elezi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat