Ka shpresë për bashkëpunimin e opozitës shqiptare për rrëzimin e BDI-PDSH

Maqedonia

Ka shpresë për bashkëpunimin e opozitës shqiptare për rrëzimin e BDI-PDSH

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 10:35

Pasojat që lanë bombat e Zoran Zaevit (SDSM) ishte bashkëpunimi i madh mes dy partive kryesore shqiptare, PDSH me në krye Menduh Thaçi, BDI me në krye Ali Ahmeti dhe VMRO-në e kryeministrit Nikola Gruevski. Kjo del në pah se për herë të parë prej krijimit të tyre, dy partitë shqiptare kanë hedhur mundësinë e bashkëpunimit të tyre në zgjedhjet parlamentare. Ky lloj uniteti, për kryetarin e lëvizjes BESA, Bilall Kasami, është “deformim i votës shqiptare dhe jo bashkim i votës shqiptare”.
“PDSH nuk e ka më atë trup votues që e ka pasur dhe i rrezikohet formimi i grupit parlamentar edhe nëse do ta arrijë do ta ketë me shumë vështirësi. Ziadin Sela ia ka marr një elektorat shumë të madh dhe me lëvizjet e reja opozitare Thaçi e humb primatin e të qenit në krye të opozitës. Si rrjedhojë e kësaj Thaçin e gjen koalicionin me BDI-në. Faktikisht BDI do të jetë shpëtimtar i Menduh Thaçit”, tha për Portalb Zenun Ismaili, nënkryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare.

Sipas kreut të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, pas këtyre sondazheve po del që BDI nuk ka legjitimitet të shqiptarëve, sepse së bashku me PDSH-në ata nuk kanë as gjysmën e votave të shqiptarëve.
“Ata do të tentojnë të bashkohen edhe formalisht, e që është më e keqja ata nuk po bashkohen për ta bashkuar votën shqiptare, por për ta deformuar votën shqiptare. Ne jemi në një proces të bashkëpunimit dhe shpresoj se në një kohë të afërt deri para zgjedhjeve ne ti bashkërendojmë aktivitetet tona, sepse bashkimi formal i BDI-së dhe PDSH-së e bën imperativë që të gjitha forcat opozitare të dalin në një zë. Forma dhe mënyra se si do të jetë bashkëpunimi në ndërkohë do të përcaktohet”, tha Kasami.

Numri një i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nexhat Bexheti për Portalb tha se Koalicioni i BDI -së dhe PDSH-së ka funksionuar nën hije larg opinionit.
“Opozita shqiptare më se fundi do të bashkohet, sepse rrethanat dhe trysnitë e faktorit Shqipëri dhe Kosovë do ndikojnë në bashkëpunimin opozitarë, se ndryshe rrezikohen që të mos ketë rezultat të pëlqyeshëm nga elektorati. Opozitës i mungon përvoja zgjedhore. Fundi fundit opozita ka synim përvetësimin e pushtetit me anë të votave”, potencoi ai.

Nënkryetari i Unitetit dhe deputeti Zylfi Adili nuk habitet me bashkëpunimin mes PDSH-së dhe BDI-së.
“BDI-në dhe PDSH-në i bashkon interesi personal. Këta e kanë shefin e përbashkët kanë hipotekat e përbashkëta, këta parti që moti nuk mbrojnë interesat e votuesve shqiptar. Andaj nuk na habit bashkëpunimi i tyre. Ne nuk jemi kundër bashkëpunimit me forcat opozitare. Jemi në kontakt me partitë tjera me forma të ndryshme. Ne për momentin jemi duke punuar në konsolidimin e strukturave tona. Në Kongres, që pritet të mbahet pas Vitit të Ri, do ta shpalosim edhe idenë e bashkëpunimit me subjektet politike. Në parim jemi për bashkëpunim”, theksoi Adili.
Redaksia jonë për qëndrim rreth çështjes në fjalë ka tentuar të marr edhe nga Ziadin Sela, por ai ka qenë i pakapshëm.
Menduh Thaçi në TV21, për koalicionet e mundshme para zgjedhjeve të 24 prillit 2016, zbuloi edhe mundësinë e një koalicioni BDI-PDSH./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat