Brodeci, Veshalla e Bozovca në rrezik nga rrokullisja e gurëve

Maqedonia

Brodeci, Veshalla e Bozovca në rrezik nga rrokullisja e gurëve

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 00:36

Banorët e fshatrave, Brodec, Veshallë e Bozovcë, ndihen të rrezikuar nga gurët që sollën vërshimet e gushtit. Përveç rrugës, dëmtime të mëdha ka pësuar edhe ura që lidh këto tre fshatra.
Banorët shprehen të shqetësuar pasi siç thonë në çdo moment rrezikojnë të mbeten nën gurët që vazhdimisht rrokullisen. Ata shprehen të zhgënjyer nga anashkalimi i plotë i pushtetit lokal dhe atij qendror.
“Mendoj se jemi shumë të lënë pas dore. Vet mundohemi ta rregullojmë atë rrugën për sa kohë, askush nuk merr masa me ata gurët presin të mbytet dikush e pastaj ta rregullojnë, dimrit aty do bie ndonjëri”.

“Të rrezikuar kemi qenë gjithnjë por nuk i ka interesuar askujt kjo ka ra në vesh të shurdhër gjithnjë. Veç presim dita ditës kur do na bien ato gurë”.

“Totalisht të rrezikuar jemi, mund të ndodh që aspak të mos mund të shkojmë në qytet, një ngricë e vogël dhe bllokohet rruga”.

Nënkryetari i Bashkësisë Lokale të Brodecit, Bashkim Fejzullahu theksoi se megjithëse ka kërkuar nga komuna e Tetovës largimin e gurëve që rrezikojnë jetën e banorëve, autoritet kanë mbetur të shurdhëta. Sipas Fejzullahut këto fshatra gjithashtu kërcënojnë të mbeten të bllokuara edhe në rast të reshjeve të vogla të shiut apo borës.

“Komuna është dashur të vij dhe duhet të vij me çdo kusht se ne jemi pjesë e komunës, nuk jemi të ndonjë komune tjetër. Komuna është vonuar shumë dhe me çdo kusht duhet të merr nismë dhe të vij ti pastrojë ato sepse do bëhet e pakalueshme për dimrit. Rrezik jete ka maksimum po fat që s`ka ndodh gjë por besoni se do ndodhe nëse nuk pastrohen”, deklaroi Bashkim Fejzullahu, nënkryetar i Bashkësisë Lokale të Brodecitl.
Komuna e Tetovës ndërkohë përsëriti qëndrimin e njëjtë se largimi i gurëve do të bëhet në momentin kur të fillojë projekti për asfaltimin e pjesës së mbetur të rrugës Shipkovicë - Brodec, respektivisht në pranverë. Megjithatë gjendja kritike në këtë rrugë, është alarmuar edhe nga Qendra për Menaxhim me Kriza e cila gjithashtu sugjeronte pastrimin e shtretërve të lumenjve, si masë preventive nga reshjet e mëdha që priten në periudhën e ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat