Maqedonia heq bllokadën e produkteve shqiptare

Maqedonia

Maqedonia heq bllokadën e produkteve shqiptare

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 00:00

Maqedonia ka hequr bllokadën ndaj prodhimeve bujqësore shqiptare. Vendimi u mor pas reagimit të autoriteteve zyrtare të Tiranës dhe komunikimeve intensive midis Ministrive të Ekonomisë të të dyja vendeve.

Ishte ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Bekim Neziri, i cili komunikoi vendimin dha garancinë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë më dhe se duhet të respektohen parimet e CEFTA-s.

Neziri u shpreh se Shqipëria ka të drejtë të zbatojë masa reciprociteti nëse problemi përsëritet. Megjithatë, për të mos ndodhur një gjë e tillë, ai paralajmëroi se do të angazhohet që Ministria e Bujqësisë të thjeshtëzojë procedurat e kontrollit për mallrat që hyjnë në Maqedoni.

“Në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, unë do të marr iniciativë që rregullorja e brendshme e Ministrisë së Bujqësisë të ndryshojë dhe të gjithë transportuesit që sjellin produkte bujqësore në Maqedoni të mund t’i dërgojnë mallrat e tyre në frigorifer derisa të presin rezultatet nga kontrolli. Në këtë mënyrë nuk do të shkelen parimet e CEFTA-s”, deklaroi Neziri.

Ai tha se problemi me bllokadën e produkteve shqiptare është zgjidhur mbrëmjen e së martës, menjëherë pasi është kontaktuar nga kolegu i tij shqiptar Arben Ahmetaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat