Ambasadori shqiptar në Shkup: Nuk do të ketë bllokim të produkteve shqiptare

Maqedonia

Ambasadori shqiptar në Shkup: Nuk do të ketë bllokim të produkteve shqiptare

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 22:34

Ambasadori shqiptar në Shkup, Fatos Reka ka deklaruar se, qeveria maqedonase nuk ka ndërmend të vendosë bllokadë ndaj produkteve shqiptare.

Përmes një njoftimi, Reka ka bërë të ditur se është informuar nga nëndrejtori i përgjithshëm i Doganave maqedonase, se qeveria e Shkupit ka marrë një vendim të posaçëm për të shmangur një gjë të tillë.

Sipas ambasadorit, vendimi parashikon që kamionët me produkte nga Shqipëria të mos ndalohen në kufi, por të shkojnë në depon më të afërt të destinacionit, në pritje të përfundimit të analizave fitosanitare.

Zoti Reka ka bërë me dije se një gjë e tillë i është konfirmuar edhe nga ministri maqedonas i Ekonomisë, Bekim Neziri, sipas të cilit vendimi është marrë këto ditë dhe shumë shpejt do të hyjë në fuqi për të mos lejuar përsëritjen e këtyre rasteve.

Megjithatë, pavarësisht vendimit, në mbledhjen e radhës të CEFTA-s që zhvillohet në Moldavi pala shqiptare do ta ngrejë problemin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat