Analistët: Kundër “abazllëqeve” të 22 Nëntorit

Maqedonia

Analistët: Kundër “abazllëqeve” të 22 Nëntorit

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 09:32

Festimi i 107-vjetorit të Ditës së Alfabetit në Maqedoni, 22 Nëntori, që është edhe ditë jo-pune për shqiptarët e Maqedonisë, për shumë analistë kaloi me skandal të pashembullt të politizimit të festës. Në mbrëmjen festive u nda çmimi “Abazi”- emër ky i përdorur gjatë ilegalitetit nga kreu aktual i BDI-së, Ali Ahmeti.
Paraprakisht në vendin e ngjarjes kishte reaguar edhe profesori Lebit Murtishi së bashku me studentët Blerona Brao dhe Arbër Arsllani.

Rastin në fjalë e kanë dënuar edhe analistët. Sipas tyre nuk mbeti asgjë pa u partizuar. Ata thonë se politikanët po i përdorin manifestimet kombëtare për t’u dukur të rëndësishëm, në moment kur nuk kanë vepra me çka në të vërtetë do të duhej të tërhiqnin vëmendjen.

Ramadan Ramadani nga instituti “Nisma” mendon se kjo ndodhi është skandaloze.

“Ky rast vetëm mund të shërbejë për të etabluar në gjuhën shqipe një term specifik për përdhosjen partiake të manifestimeve kombëtare: abazllëk, ose në shumës: abazllëqe. Pra në vend se përgjithshëm të thuhet “budallallëk”, prej tani mund edhe të specifikohet me “abazllëk”, tha Ramadani.

Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, vlerëson se nuk ka festë apo institucion që nuk është partizuar.
“Festat e nëntorit, universitetet, shkollat, institucionet fetare, administrata u takojnë vetëm militantëve partiak. Po nuk je pjesë e partisë ke gjasa të ngelësh jo vetëm pa buke, por edhe pa identitet. Po nuk je ithtar i Abazit i bie se nuk je shqiptar, nuk ke të drejtë të festosh festat e nëntorit, nuk ke të drejtë të punësohesh. Për këtë partizim nuk janë fajtor vetëm partitë politike, por edhe vetë qytetarët shqiptarë. Pjesa më e madhe e tyre nuk janë viktima të partizimit, por bashkëpjesëmarrës”, deklaroi Neziri.

Publicisti Iljasa Salihu thotë se politikanët e dështuar në çdo fushë, festat apo përvjetorët e rëndësishme i shfrytëzojnë për t’u dukur ende të rëndësishëm në sytë e popullit, sepse në atmosfera të tilla emocioni i të gjithëve është më i pranishëm se ndonjëherë më parë.

“Dihet, emocioni është një armik i arsyes. Mirëpo, ata që me duart e tyre e vranë Abazin, sikur harruan se edhe vetëm me emocion mund t’ia sheh populli malin e poshtërsive e të mos flasim më me arsye. Ata kanë pushtetin dhe kanë mundësi t’i japin ngjyrë partiake festave dhe të mëtojnë të pastrohen sado pak. Kurse, pjesa e popullit që sheh me sy dhe mendje e ka në dorë logjikën e shëndoshë, ku nuk do të pështiret me festat, por me ata që pandehin të përfitojnë edhe përgjatë festave të rëndësishme, siç qe rasti me përvjetorin e alfabetit. Vardisjet e tyre në këto festa janë një dëshmi se sa të mjerë janë bërë!”, potencoi Salihu.

Në anën tjetër BDI dhe Ali Ahmeti kanë mohuar politizimin e festët, duke u shprehur se ky i fundit edhe nuk ka qenë prezent gjatë mbrëmjes gala dhe jo më të ketë kërcënuar ndokënd./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat