Këshilli i integrimeve refuzon kërkesat e PDSH-së

Maqedonia

Këshilli i integrimeve refuzon kërkesat e PDSH-së

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 14:25

Funksionimi pushtetit gjyqësor, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar, liria e të shprehurit dhe reformat në administratën publike janë fusha ku duhet të bëjë progres të shpejtë Maqedonia për ta zënë hapin në procesin e anëtarësimit në BE, të cilat të hënën u debatuan në Këshillin nacional për integrime.

Për këto tema në Këshill u vendos që të hapet debat i gjerë publik me ekspertët, organizatat joqeveritare, sektorin e biznesit, sindikatat dhe faktorë tjerë relevantë në shoqëri. Paraprakisht deputetja nga Partia Demokratike Shqiptare, Merale Uzeiri-Ferati kërkoi që si pjesë e rekomandimeve të përfshihen edhe kërkesat e kësaj partie për ndarje të barabartë të buxhetit të shtetit mes maqedonasve dhe shqiptarëve, avancimin gjuhës shqipe si gjuhë të barabartë me gjuhën maqedonase në Kushtetutë, zbardhjen e rasteve “Monstra” dhe “Sopoti”, deetnizimin e simboleve shtetërore dhe çështje të tjera. Këto pika nuk u pranuan nga anëtarët e VMRO-së dhe LSDM-së me arsyetimin se janë jashtë temës së debatit.

Megjithëkëtë kundërshtim, deputetët e PDSH-së, Orhan Ibrahimi, Ernad Fejzullahu dhe Merale Uzeri-Ferati insistuan që pikat e tyre të hyjnë në votim, me arsyetimin e deputetit Fejzullahu se edhe me votimin kundër duhet të dihet, siç tha ai, nga të gjithë qytetarët e Maqedonisë se kush nuk dëshiron të zbardhen rastet e montuara ndaj shqiptarëve. Deputetja e BDI-së, Ermira Memeti, votoi për kërkesën së PDSH-së, por që ishte e pamjaftueshme meqë deputete maqedonas mbivotuan deputetët shqiptarë. Pas mospërkrahjes së propozimeve të PDSH-së, deputetë e kësaj partie lëshuan mbledhjen e Këshillit Nacional për euro integrime. Në konkluzionet e Këshillit Nacional u vlerësuan arritjet e Maqedonisë sa i përket kalimit të fazës së parë të vendit kandidat, nga “nuk ka progres” më fazën “progres i mirë” dhe në “progres shumë i mirë”.

Sipas konkluzioneve të Këshillit mbetet ende shumë punë për t’u bërë në drejtësi, në fushën e sigurisë dhe zbulimit dhe atë të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat