VMRO nuk pranon propozimin e ndërkombëtarëve për Kodin zgjedhor (Video)

Maqedonia

VMRO nuk pranon propozimin e ndërkombëtarëve për Kodin zgjedhor (Video)

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 15:32

Zbatimi i Marrëveshjes Politike të Përzhinos assesi të gjejë daljen nga qorrsokaku. Edhe takimi i djeshëm i 4 partive politike kaloi në frymë destruktive dhe u mbyll vetëm pak minuta pas fillimit. Siç njoftojmë nga partia opozitare LSDM, që në fillim të takimit, ndërmjetësi ndërkombëtar Piter Vanhautte ka shtruar në tavolinën e bisedimeve, propozimet e tij për Kodin Zgjedhor, që kanë dalë kryesisht nga propozimet e partive në bisedime. Menjëherë pas shpalosjes së propozimeve, përfaqësuesit e VMRO DPMNE-së kanë kërkuar pauzë të pacaktuar për konsultime brenda-partiake. Pas pritjes së gjatë, deri në orën 2:30 të mëngjesit, më në fund pjesëmarrësit e mbetur u detyruan ta anulonin takimin. Siç mëson Alsat M nga burime diplomatike, për shkak të sjelljes së tillë të përfaqësuesve të VMRO DPMNE-së, kanë pasuar kërcënimet nga 2 ambasadat relevante evropiane se 7 përfaqësuesve të kryesisë më të ngushtë të partisë së Gruevskit, do t’u ndalohet hyrja në vendet e tyre nëse Marrëveshja e Përzhinos nuk zbatohet. Bisedimet kanë vazhduar sërish sot, por me pak gjasa për sukses, pasi partitë politike kanë kundërshtime thuajse për çdo çështje. Çështja e vetme e zgjidhur deri tani është pastrimi i listës zgjedhore, që do të jetë kombinim i ndërthurjes së bazave të informacioneve nga organet shtetërore dhe kontroll i plotë në terren. Ndër pengesat kryesore mbetet diaspora. Siç mëson Alsat M, propozimi i Vanhauttit dje ka përfshirë dy mundësi, vendosjen e pragut për kalimin e deputetëve të diasporës ose që mërgata të votojë për mandatet brenda vendi; të dyja të papranueshme për VMRO DPMNE-në. Çështje tjetër që është shndërruar në pengesë serioze mes dy partive më të mëdha maqedonase është kufizimi i harxhimeve për fushatën zgjedhore. Ligji aktual parashikon që partitë mund të shpenzojnë më së shumti 180 denarë për një votues të regjistruar, ndërsa LSDM-ja kërkon uljen e pragut për më shumë se gjysma. Ky propozim është refuzuar ashpër nga VMRO DPMNE-ja, edhe pse të dhënat nga zgjedhjet e fundit tregojnë se partia e Gruevskit ka shpenzuar shumë më pak se maksimumi i lejuar. VMRO-ja ka harxhuar 46.7 denarë për çdo votues, BDI-ja 20.3 denarë, LSDM-ja 6.7 denarë, ndërsa PDSH-ja 0.003 denarë për secilin votues të regjistruar. Nga LSDM-ja thonë se nuk e kanë të qartë refuzimin e VMRO DPMNE-së për shpenzimet, përveçse nëse nuk planifikon të derdhë miliona për zgjedhjet e prillit. Derisa partitë ende kundërshtojnë njëra tjetrën për Kodin Zgjedhor, afrohet afati për çështje të tjera të cilat duhet të zgjidhen. Zgjidhja për emrat e ministrave të rinj dhe zv/ministrave, harmonizimi i Ligjit për ndalimin e publikimit të telefonatave të reja të përgjuara dhe Ligji për mbrojtjen e informatorëve, si dhe çështja e mediave duhet të arrihen deri më 20 tetor. Partia e Zaevit e vlerëson 20 tetorin si test të dytë për suksesin ose jo të Marrëveshjes Politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat