Lëvizja Besa kritika drejt institucioneve për problemet e shkollave në Kërçovë

Maqedonia

Lëvizja Besa kritika drejt institucioneve për problemet e shkollave në Kërçovë

Më: 12 tetor 2015 Në ora: 17:08

Lëvizja Besa ka reaguar ndaj problemit me arsimin dhe shkollat në Komunën e Kërçovës, nga atje e kritikojnë ministrin Ademi dhe Komunën e Kërçovës për problemet me të cilat përballen nxënësit shqiptar.

"Të indinjuar nga gjendja aktuale në të cilën ndodhet arsimimi dhe edukimi i fëmijëve tanë në Komunën e Kërçovës ne si Lëvizje BESA nuk mund të qëndronin duarkryq dhe të mos reagonim.

Të jetosh në shekullin e XXI dhe sot shkollat të ballafaqohen me problemin e mungesës së energjisë elektrike apo edhe probleme të tjera të natyrës materiale dhe si pasojë e saj të mos realizohet mësimi i rregullt, por i shkurtuar, kjo do të nënkuptonte neglizhencë dhe mospërgjegjësi të të gjitha organeve kompetente për këtë punë, duke filluar nga udhëheqësia e shkollës, Komuna sëbashku me Këshillin komunal dhe Ministria e arsimit dhe shkencës.

Nxënësve, prindërve të nxënësve, mësimdhënësve nuk ju intereson nëse përgjegjësia është e njërit apo tjetrit, atyre ju intereson që fëmijët të kenë kushtet themelore për realizimin e mësimit dhe mësimi të realizohet i plotë dhe jo i cunguar siç veprohet tani, edhe pse programi mësimor sipas Kembrixhit është i stërngarkuar dhe kërkon më tepër kohë dhe punë.

Edhe tani, rreth dy muaj pasi ka filluar mësimi ende ka nxënës të cilët nuk janë pajisur me libra shkollor, ndërkaq pjesa tjetër detyrohen të mësojnë nga libra të dëmtuar tërësisht dhe me fletë të shkoqitura. Nëse duam të ndërtojmë një shoqëri të shëndoshë dhe të arsimuar së paku le t’ju sigurojmë librat për të mësuar dhe jo vetëm të gjejmë formën dhe mënyrën se si t’i dënojmë mësimdhënësit dhe të shkatërrojmë arsimimin e gjeneratave të reja.

Tentativa për arsyetim se Ministria ka lëshuar mjetet e duhura, se Komuna e Kërçovës ka realizuar obligimin e saj, kjo nuk do të qëndronte sot, meqë situata është krejt e kundërta.

Ne si Lëvizje BESA, ju bëjmë thirrje zotërinjve në fjalë, drejtorit të shkollës, kryetarit të komunës, ministrit të arsimit, që të gjithë kuadro të emëruar nga subjekti politik shqiptar në qeveri – BDI-ja që të lënë anësh mosmarrëveshjet e tyre sa për sy e faqe dhe fiktive dhe të gjejnë zgjidhjen e problemit nga i cili pasoja kanë vetëm fëmijët dhe procesi edukativo-arsimor.

Nëse ministri i arsimit Abdylaqim Ademi do të merrej më seriozisht me problemin e shkollave që kanë sot dhe jo me fushatën zgjedhore ende të pafilluar të partisë së tij, sigurisht se do të ishte më i dobishëm dhe shumë probleme do të kishin gjetur zgjidhjen.

Nëse kryetari i Komunës së Kërçovës dhe anëtarët e Këshillit komunal do të kishin lënë mangët disa ecejake nëpër shtetet e huaja, apo do të kishin menaxhuar më mirë mjetet e ndara për realizimin e gjoja aktivitete kulturore të realizuara nga shoqatat me 1 individ, sigurisht që problemi i energjisë elektrike sot nuk do të paraqitej si problem. Këtë, nuk e themi se ne si BESË jemi kundër aktivitete kulturore, por ju si komunë e keni për obligim që të menaxhoni drejt dhe t’ju jepni përparësi atyre aktiviteteve nga e cila përfitojnë më shumë fëmijë, më shumë banor dhe jo vetëm një individ apo grup i vogël.

I bëjmë thirrje kryetarit të komunës dhe këshilltarëve komunal që sa më shpejt të zgjidhin këtë situatë, jo vetëm për atë se e kanë obligim, por edhe për atë se fëmijët e tyre dhe të shumë të tjerëve humbasin dhe ngelen pas në mësime dhe në fund të vitit në testimin eksteren dalin me rezultate jo të kënaqshme, për të cilën padrejtësisht do të dënohen mësimdhënësit.

Situatë tjetër e pakënaqshme dhe diskriminuese për shqiptarët, edhe tani kur Komuna e Kërçovës udhëhiqet nga kuadro shqiptar, është çështja e kopshteve dhe çerdheve për fëmijë të moshës parashkollore. Në Kërçovë funksionojë dy qendra te të cilat realizohen aktivitete edukuese për fëmijët e moshës parashkollore në të cilat numri i fëmijëve shqiptarë është shumë i vogël, ndërsa numri i edukatoreve është mospërfillës. Kjo do të thotë se ata fëmijë që do të kenë fatin për t’u bërë pjesë e këtyre kopshteve, meqë jo çdo fëmijë mund të pranohet, ende pamësuar mirë gjuhën amtare detyrohet që të mësojë edhe gjuhën maqedonase.

Kjo çështje aspak nuk e shqetëson kryetarin e komunës, apo stafin e tij përreth, apo edhe subjektin politik shqiptar në qeveri, meqë asgjë nuk ka ndërmarrë në punësimin e kuadrove shqiptare në këto institucione dhe të mos bëjmë fjalë për pozitën udhëheqëse. Kur dihet mirë se para disa ditësh është rizgjedhur drejtori i njëjtë maqedonas në pozitën udhëheqëse të çerdhes në Kërçovë. Është bërë kjo nga neglizhenca apo mos interesimi i kryetarit të komunës dhe stafit të tij, apo është marrëveshje politike e BDI-së që asnjë pozitë drejtori të mos ta marrë në Kërçovë.

Janë edhe shumë probleme të tjera me të cilat ballafaqohen shkollat, qofshin ato infrastrukturore po të natyrës tjetër, por mendojmë se zgjidhja e këtyre është imediate", thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat