Lagja Teqe e Shipkovicës shkëputet nga qyteti (Video)

Maqedonia

Lagja Teqe e Shipkovicës shkëputet nga qyteti (Video)

Më: 12 tetor 2015 Në ora: 16:45

Që prej dy muajsh banorët e lagjes Teqe të Shipkovicës, rezultojnë të izoluar nga qyteti. Shkak për këtë është ura e vetme e fshatit e cila u shkatërrua tërësisht nga përmbytjet e dy muajve më parë. Banorët, duke mos pasur ndihmë nga institucionet, kanë improvizuar vet një urë prej 40 centimetrash gjerësi, mbi të cilën kalojnë për çdo ditë, për t’u furnizuar me ushqime. Ura përshkohet gjithashtu edhe nga fëmijët dhe nxënës, që shkojnë në shkollën e mesme të Tetovës. Banorët shprehen tejet të revoltuar nga mos përfillja e institucioneve. Ata kërkojnë që të ndërhyhet sa më shpejtë sepse, me fillimin e dimrit, mund të mbesin krejtësisht të izoluar dhe pa mundësi furnizimi me ushqime, ndërsa nxënësit duhet të braktisin shkollën.
“Vështirësi të mëdha kemi, këtu s’mund të kalohet as në këmbë e jo më me ndonjë kafshë apo diçka tjetër. Njerëzit në këmbë e rrezikojnë jetën për të shkuar në qytet. Dy ura të tjera janë të prishura, askush deri sot nuk ka ardhur të vizitoj. Jemi ankuar kemi bë kërkesë në komunë por asgjë nuk ka prej saj hiç”.
“Është mbushur me gurë të mëdhenj.. nuk kalohet as me biçikleta as me kuaj e as me asgjë, kemi atje ara kemi tokë s’mundemi gjënë ta sjellin poshtë. Veç thonë do vijmë nesër do vijmë pasnesër, punojmë në Shipkovicë, jemi duke punuar në Reçicë dhe nuk janë duke ardhur”.
“Më vështirë e kemi kur është koha me shi, sepse edhe thatë kur është ka rrezik por kështu është më tepër, kemi fëmijë që shkojnë në shkollë fillore të mesme dhe fakultet, që e kalojnë këtë urë. Na kanë premtuar se do bëhet diçka por ja, u bënë dy muaj nga vërshimet, deri sot siç e shihni vet nuk ka asgjë konkrete. Nëse vazhdon kështu s`na mbetet tjetër veç se ti marrim njerëzit kafshët dhe para komunës të gjejmë zgjidhje”.
Nga komuna e Tetovës pranojnë se për këtë urë nuk është bërë ende asgjë, por premtojnë se së shpejti do të ndërhyhet në ngritjen e një ure të përkohshme.
“Sa i përket urës, ende aty nuk është bë asgjë, mirëpo po punohet në drejtim që të rregullohet. Ende nuk e dimë nëse do mundemi urën, pra që të mund një urë afatgjate të rregullohet, apo do shkohet me një urë të përkohshme mirëpo të jetë urë funksionale edhe për makina”, tha Hisen Demiri, Shef i sektorit të rrugëve.
Banorët e lagjes Teqe të Shipkovicës shprehen se nëse nuk merren masa për zgjidhjen e këtij problemi, do të ngrihen në protesta para komunës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat