Maqedoni, libreza partiake vlen më shumë se diploma

Maqedonia

Maqedoni, libreza partiake vlen më shumë se diploma

Më: 12 tetor 2015 Në ora: 14:41

“Shkollohu”, “Dituria është fuqi”, janë disa nga sloganet e fushatës së Qeverisë së Maqedonisë për t’i stimuluar të rinjtë që të regjistrohen në studime, për të siguruar të ardhmen e tyre.

Dhe një numër i madh i të rinjve, regjistrohen në fakultete, mbarojnë studimet, bëjnë master, doktoraturë, por sërish mbeten nën mëshirën e partive politike, varësisht cila prej tyre është në pushtet. Por, ata sërish mbeten të mashtruar në rrugë dhe pa fatin e përcaktuar në planin profesional.

Faktori kryesor për të gjetur një punë është libreza partiake, e jo diploma e universitetit apo titujt e arritur shkencor. Shumica e të rinjve theksojnë se janë pengje dhe viktima të kësaj sindrome, për pamundësinë e tyre për punësim në profesion, raporton agjencia e lajmeve INA.

Sipas të dhënave të fundit të agjensionit për punësim në Maqedoni 36 doktorë shkence janë të papunë nga të cilët 17 janë femra.

Ndërsa të papunë janë edhe 983 magjistra nga të cilët 600 janë femra. Të dhënat zyrtare flasin se nga numri i përgjithshëm i të papunëve, 15.357 të papunë janë me arsim të lartë ku 9.568 janë femra.

Numri i përgjithshëm i të papunëve në republikën e Maqedonisë të cilët kërkojnë punë aktive është 122.257 nga të cilët 49.145 janë femra.

Ndërsa numri i atyre që janë të paraqitur si të papunë dhe nuk kërkojnë punë aktive është 96.918.

Nga të dhënat e agjesnionit për punësim në republikën e Maqedonisë 81.093 janë maqedonas ndërsa 26.521 janë shqiptarë. Në bazë të dhënave zyrtare qyteti i shkupit llogaritet me numri më të madhë të papunëve me 20.278 të papunë, ndërsa më pas vjen qyteti i Tetovës me 13.505 të papunë.

Punësimi nëpërmjet lidhjeve partiake, miqësore dhe lidhjeve të vjetra të periudhës së kaluar, por edhe nëpërmjet dhënies së ryshfetit, është një realitet që vazhdon të jetë i pranishëm në Maqedoni. Administrata shtetërore dhe institucionet e ndryshme janë të stërmbushura nga individë të tillë, shumica të papërgatitur dhe tejet inferior për të kryer detyrën që e obligon vendi i punës. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat statistikore dhe hulumtimet e organizatave joqeveritare brenda dhe jashtë vendit.

Bashkimi Evropian së fundi ka tërhequr vërejtjen për administratën e stërngarkuar me aktivistë partiak dhe për nevojën urgjente të profesionalizimit të saj, sidomos në sektorët më të ndjeshëm.

Qendra për të Drejtat e Njeriut dhe Zgjidhjen e Konflikteve në Shkup, në studimin e fundit ka theksuar për praninë e diskriminimit politik.

Mbi 80 për qind e qytetarëve vlerësojnë se në politikën e punësimeve vazhdon të ketë diskriminim politik.

Në Maqedoni, u bë pothuajse e pamundur të gjendet një punë pa librezë partiake. Partitë politike punësojnë familjarët dhe bashkë partiakët e tyre, të cilët ju duhen për zgjedhjet e ardhshme për të mbajtur sërish në pushtet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat