Shirat e mbrëmshëm kanë sjellë sërish përmbytje rajonin e Tetovës (Video)

Maqedonia

Shirat e mbrëmshëm kanë sjellë sërish përmbytje rajonin e Tetovës (Video)

Më: 11 tetor 2015 Në ora: 17:16

Reshjet e mbrëmshme të shiut kanë përmbytur sërish Reçicën e Vogël, Reçicën e Madhe dhe një pjesë të rrugës Shipkovicë-Brodec. Rruga e cila u bllokua tërësisht nga reshjet e para dy muajve, dhe kësaj radhe ka pësuar dëmtime dhe për një kohë ka qenë krejtësisht e palëvizshme, ndërsa ditën e sotme, pas ndërhyrjeve të banorëve të Reçicës dhe Komunës, është bërë e kalueshme në një drejtim. Banorët i tremben përsëritjes së përmbytjeve, 2 muaj më parë. Ata i bëjnë thirrje komunës që të pastrojë rrugët dhe të riparojë kanalet kullues, për të evituar përmbytje të reja.

“S’e kanë përmirësuar. Një herë ishin, kur patëm vërshimet e para dhe asgjë, e lan pas dore. Turp i madh mos e pastrojnë këtë, turp i madh mos lëshojnë një ekskavator, paguajmë para neve taksa paguajmë”.
“Ekskavatori ka punua vetëm dy minuta aspak më shumë, ne nuk i frikohemi kësaj i frikohemi të ardhmes, se prej Rasadishte kanë filluar të çahen pjesët”.
Reshjet e mbrëmshme të shiut kanë dëmtuar edhe pjesën e dytë të rrugës Shipkovicë-Brodec. Pjesa e dytë e rrugës së lartpërmendur, nëse vazhdon vetëm të pastrohet dhe të mos rregullohet si duhet, rrezikon të shembet e tëra - thonë banorët.
“Nga vërshimet e mbrëmshme është blloku rruga në tre vende. Duhet të ndërhyhet dhe kjo çështje duhet të merret seriozisht se nuk është lojë kjo dhe kërkon zgjidhje afatgjate. Vijnë e pastrojnë pak dhe në të ardhmen sërish vijnë mbeturina e gjëra. Kemi kërkuar prej komunës ... do bëhet - do bëhet, vijnë nga një foto e bëjnë dhe shkojnë”, tha Bejtulla Bejtullahu, Kryetar i Bashkësisë Lokale të Brodecit.
“Kjo duhej të ishte bërë deri tash dhe jo të pritet deri sot. E kemi ditur që do bëhet kështu sërish”.
Por, Isen Demiri, përgjegjës për rrugët dhe trojet shprehet se komuna është aktivizuar që mbrëmë me ekskavatorët dhe ka pastruar rrugët në vendet kritike.
“Në Reçicë të Vogël natën është punuar kurse në Reçicë të Madhe ende punohet. Gjendja është e tillë, rrugët funksionojnë mirëpo duhet të jemi të përgatitur dhe situata është e tillë që në rast se kemi shi duhet të jemi të përgatitur”, deklaroi Isen Demiri. Shef i sektorit për rrugë dhe toka ndërtimore.
Reshjet e mbrëmshme të shiut shkaktuan dëme edhe në fshatrat e Komunës së Tearcës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat