Përmbytje në Shkup,Tetovë, Ohër, Kërçovë e Gostivar (Video)

Maqedonia

Përmbytje në Shkup,Tetovë, Ohër, Kërçovë e Gostivar (Video)

Më: 11 tetor 2015 Në ora: 16:53

Cikloni i ardhur nga Deti Egje, i shoqëruar me shira të dendura, ka shkaktuar përmbytje edhe në rajone të tjera të vendit. Përmbytje bodrumesh edhe në Shkup, në Gostivar, Ohër dhe Kërçovë. Institucionet qendrore mësohet të kenë aktivizuar masat edhe apelet drejt autoriteteve lokale në këto komuna të prekura, që të marrin veprimet e duhura për t’i bërë ballë përmbytjeve të mundshme. Në raste kritike, komunave do t’iu dalin në ndihmë edhe Qendra për Menaxhimin e Krizave si dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. Për shkak të reshjeve të dendura, studentët e konviktit “Goce Dellçev” në Shkup qëndruar gjithë natën zgjuar. Sipas Plenumit studentor, korridoret e konviktit si dhe një pjesë e dhomave kanë qenë të mbushura me ujë.
“Uji derdhet prej kateve të mësipërme, përmes çarjeve. Gjendja e tillë në konviktin studentor “Goce Dellçev” nuk është prej dje, por vijon prej një kohe të gjatë. Mund të shohim se autoritetet janë të ngadalshëm me rinovimin e bllokut B dhe nuk angazhohen sa duhet për përmirësimin e kushteve nëpër konvikte. Kjo që jemi duke parë tani, do të thotë se kushtet janë jonjerëzore. Imagjinoni t’ju pikojë nëpër dhoma, nga tavani përmes prizave dhe kabllove të rrymës, jo vetëm që është jonjerëzore, por edhe e rrezikshme.”, tha Darko Malinovski, Plenumi Studentor.
Edhe banorët e Ohrit i tremben një vale të re reshjesh gjatë natës. Disa prej tyre sot në mëngjes nxirrnin ujin nga shtëpitë e tyre me pompa speciale.
“Kemi pasoja serioze nga moti në disa lokalitete të qytetit dhe nëpër fshatra. Këtu gjendemi në lagjen “Hekurudhë” ku janë përmbytur një numër i madh shtëpish, menjëherë nën rrugën për shkak të reshjeve të dendura të shiut, pozitës së ulët të truallit dhe për shkak të kapacitetit të vogël të kanalizimit për tërheqjen e ujrave”, tha Nikolla Bakraçeski, kryetar i Ohrit.
Gjatë 24 orëve të kaluara, më së shumti, shi ra në Pozharan dhe Krushevë. Sipas matjeve të Entit Hidrometeorologjik, në Pozharan ka rënë 100 litra në metër katrorë, në Krushevë 99, në Ohri gjithashtu 99 litra për metër katror, në Tetovë 82 litra për metër katror, ndërsa në Shkup, 71 litra për metër katrorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat