Xhaferi: Ligji për bombat, u keqpërdor për bllokimin e bisedimeve

Maqedonia

Xhaferi: Ligji për bombat, u keqpërdor për bllokimin e bisedimeve

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 18:19

Shefi i grupit parlamentar të BDI-së Talat Xhaferi këmbëngul se ka qenë pjesë e marrëveshjes politike detyrimi që BDI-ja të përpilonte Ligjin për ndalimin e publikimit të materialeve të përgjuara. Ai tha se 20 ditë para vendosjes në procedurë, kishte njoftuar partitë për përmbajtjen e ligjit, por nuk kishte marrë asnjë vërejtje ose sugjerim për ndryshim. Xhaferi dyshon se situata më Ligjin u keqpërdor për bllokimin e bisedimeve politike, ndërsa nuk ndihet i keqpërdorur për këtë qëllim, edhe pse vetë ai propozoi ligjin në ditën e fundit të afatit për marrëveshje për Kodin Zgjedhor.

“Çështja tjetër se qëllimet kanë qenë të mbrapshta, se kanë dashur që këtë procedurë ta keqpërdorin dhe ta kenë alibi për mossuksesin e bisedimeve që buron nga diku tjetër e jo nga procedurë e ligjit, është çështje tjetër, unë as që dua të merrem me këtë aspekt...", tha Talat Xhaferi, Koordinator i BDI-së.

Z. Xhaferi, a ndjeheni i keqpërdorur dhe manipuluar në gjithë këtë situatë?

“Unë nuk ndjehem i keqpërdorur, i manipuluar, për faktin që unë kam zbatuar obligimin e marrë si subjekt që ne të jemi përpilues të draftit dhe në këtë drejtim në asnjë mënyrë nuk e vë veten në pozicion që dikush të ketë mundur të më manipulon”, u shpreh Xhaferi.

Propozim Ligji i tërhequr tashmë, për ndalimin e publikimit të materialeve të përgjuara, sipas Xhaferit, nuk trajton materialet e publikuara deri tani nga opozita, edhe pse ai vetë, gjatë prezantimit të ligjit në konferencën për shtyp deklaronte se mediat duhet t’i fshijnë madje edhe materialet e publikuara më herët, që kishin të bënin me skandalin e përgjimit. Sot, Xhaferi theksoi se mediat e kanë keqkuptuar dhe keqinterpretuar përmbajtjen e ligjit.

“Për materialet e publikuara, askush nuk përmendi se për ato po e bëjmë ligjin. Nëse dikush ashtu e ka kuptuar, është problem i tij... Ato që janë publikuar, a do t’i tërhiqni nga ueb-faqja ose jo, i përket etikës suaj. Nuk mund t’ua shkruajmë etikën në ligj”, deklaroi Talat Xhaferi, Koordinator i BDI-së.

Partitë janë marrë vesh që deri më 20 tetor të përpilojnë bashkërisht Ligjin për ndalimin e publikimit të materialeve të përgjuara dhe Ligjin për mbrojtjen e informatorëve. Nëse nuk respektohet kjo marrëveshje, Xhaferi tha se ai vetë do ta propozojë sërish Ligjin me të njëjtën përmbajtje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat