Ministri Neziri mori pjesë në promovimin e projektit ‘Matematika e energjisë’

Maqedonia

Ministri Neziri mori pjesë në promovimin e projektit ‘Matematika e energjisë’

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 14:08

Ministri i Ekonomisë Bekim Neziri së bashku me kryetarin e Bordit të EVN Maqedoni, Shtefan Peter dhe drejtorin e Agjencisë së energjetikës Aleksandar Dukovski promovuan fushatën edukative për efikasitet energjetik ‘Matematika e energjisë’, që ka për qëllim vetëdijësimin e qytetarëve dhe kompanive për shfrytëzimin racional të energjisë elektrike.


Ministri Neziri gjatë paraqitjes së tij tha se Ministria e Ekonomisë gjatë periudhës së kaluarën ka përpiluar disa rregullore që janë të ndërlidhura me aplikimin sa më të madh të efikasitetit energjetik nga qytetarët dhe kompanitë, ndërsa si më të rëndësishme theksoi Strategjinë për avancimin e efikasitetit të energjisë në vend deri në vitin 2020, Planin e parë dhe të dytë akcional për efikasitet energjetik, prej të cilave kjo e fundit është në procedurë qeveritare, si dhe zgjedhjen e modelit për formimin e Fondit për Efikasitet të Energjisë, që do të krijojë kushte për ofrimin e mbështetjes financiare për aktivitetet e përfshira në Planin akcional.
‘Energjetika është një nga prioritetet e Ministrisë së Ekonomisë, si bazë për zhvillimin ekonomik, prandaj ne veprojmë në drejtim të përmirësimit të vazhdueshëm të kushteve të investimit në këtë fushë dhe sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Duke pasur parasysh faktin se Maqedonia ka deficit të energjisë, eshtë jashtëzakonisht e rëndësishme që të punohet në përmirësimin e efikasitetit të energjisë. Analizat e sektorit të energjisë, veçanërisht në segmentin e energjisë elektrike, tregojnë se konsumi i energjisë elektrike rritet në kushte kur ky karburant bëhet më i shtrenjtë dhe deficitar. Me këtë problem nuk ballafaqohet vetëm Maqedonia, por i tërë rajoni’ tha Ministri Neziri.
Kryetari i Bordit të EVN Maqedoni, Shtefan Peter tha se seriali i ri me spote televizive do të fillon të emirtohet në dy televizione kombëtare nga muaji nëntor, dhe ka për qëllim edukimin e qytetarëve për të ndryshuar shprehitë gjatë shpenzimit të energjisë elektrike.
"Për ne si kompani, e cila është e angazhuar në shpërndarjen dhe furnizimin e shfrytëzuesve me energji elektrike është e rëndësishme që konsumatorët në mënyrë më racionale të përdorin energjinë elektrike, sepse vetëm atëherë ne mund të flasim për një bashkëpuni të gjatë dhe të qëndrueshëm ku të gjithë në mënyrë të barabartë do të kujdesemi për ruajtjen e burimeve, për shkak se energjia më e shtrenjtë është ajo që shpenzohet kot", tha Shtefan Peter, Kryetar i Bordit të EVN Maqedoni.
Drejtori i Agjencisë për Energjetikë, Aleksandar Dukovski njoftoi se kategorizimi energjetik i amvisërive dhe lëshimi i pasaportave të energjisë janë një aspekt i rëndësishëm i efikasitetit të energjisë nëpër amvisëri, dhe është i rëndësishëm duke pasur parasysh se pas pranimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, kjo do të jetë obligim i detyrueshëm për çdo shtëpi.
"Efikasiteti energjetik, në periudhën e ardhshme do të jetë pjesë e jetës sonë, dhe jo një çështje e zgjedhjes. Në garën globale për resurse, vetëm më të mirë do të arrijë qëllimin. Prandaj, aq më shpejt edukohemi në lidhje me mundësitë dhe përfitimet, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne", tha Dukovski.
"Matematika e Energjisë" është pjesë e Platformës për efikasitet të energjisë, projekt që realizohet nga EVN në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Agjencinë e Energjetikës. Qytetarët përmes këtij projekti do të kenë mundësi të marrin këshilla për shpenzim racional të energjisë elektrike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat