Dështoi marrëveshja mbi Kodin Zgjedhor

Maqedonia

Dështoi marrëveshja mbi Kodin Zgjedhor

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 21:28

Grupi i punës, sërish nuk arriti marrëveshje për Kodin Zgjedhor, në bisedimet që zgjatën deri në orën 4 të mëngjesit të sotëm. Edhe pse janë harmonizuar disa çështje, përmbyllja përfundimtare e Kodit Zgjedhor mbetet ende larg, pavarësisht se afati është shkelur tashmë prej 48 orësh. Menjëherë pas dështimit reagoi edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Aivo Orav, i cili në deklaratë me shkrim për televizionin Alsat M tha se është i dëshpëruar për shkeljen e premtimit.

“Është për të ardhur keq që zotimi i marrë përsipër nga liderët e partive politike lidhur me afatin e 6 tetorit, nuk u respektua!”.

Siç informojnë partitë, në takimin e natës së sotme është mbyllur çështja e financimit të fushatës zgjedhore. Do të mbetet kufizimi që personat fizik të mos mund të kontribuojnë me më shumë se 1 mijë euro, ndërsa personat juridik 5 mijë euro. Mediat gjithashtu, nuk do të mund të paraqiten si donatore në fushatë zgjedhore. Është arritur zgjidhje edhe për një pjesë të madhe të çështjes së prezantimit mediatik, që rregullohet me Kodin Zgjedhor. Ka përparim të madh për Listën zgjedhore, kryesisht për faktin se VMRO DPMNE-ja nuk kundërshton propozimet e LSDM-së. Siç thonë nga partia në pushtet, ata do të pranojnë gjithçka që LSDM-ja do të arrijë me BDI-në dhe PDSH-në. LSDM-ja ka propozuar mbrëmë që lista zgjedhore të pastrohet me ndërthurjen e bazave të informatave nga institucionet shtetërore dhe kontrollit të plotë të listës në terren. Parimisht, sipas opozitës, për këtë metodë ka pajtim edhe nga partitë shqiptare BDI dhe PDSH. Çështja më kontestuese mbetet diaspora. LSDM-ja kërkon vendosjen e pragut prej 80% nga votat e nevojshme për një deputet brenda vendit, që sipas VMRO-së nënkupton se diaspora do të votojë por nuk do të marrë mandate. Partia e Gruevskit këmbëngul që votimi në diasporë të mbetet ashtu siç është, ose nëse caktohet prag, të mos jetë më i lartë se 30%. Qëndrimi i faktorit ndërkombëtar nga ana tjetër është se votimi në diasporë do të anulohet, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët adekuate. Për sot nuk është parashikuar takim, ndërsa pritet që ndërmjetësi evropian Piter Vanhaute, ashtu siç kishte paralajmëruar mbrëmë në grupin e punës, t’u prezantojë nesër partive, tekstin e Kodit Zgjedhor të përpiluar nga përfaqësuesit ndërkombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat