Ivanov: Bllokimi i Maqedonisë në NATO është shembull se si nuk duhet të ndërtohet siguria në rajon

Maqedonia

Ivanov: Bllokimi i Maqedonisë në NATO është shembull se si nuk duhet të ndërtohet siguria në rajon

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 17:29

Maqedonia është shembull shkollor se si NATO-ja nuk duhet të sillet me një vend kandidat. Shembujt nga shekulli i 20-të treguan se nuk mund të ketë Evropë stabile pa Evropën Juglindore stabile dhe se nuk mund të ketë Evropë Juglindore stabile pa Maqedoni stabile. Ndërsa stabiliteti afatgjatë i Republikës së Maqedonisë do të çimentohet me anëtarësimin e saj në klubin e kombeve demokratike, prosperuese, evropiane dhe euroatlantike, theksoi presidenti Gjorge Ivanov në ligjëratën e sotme para klubit Atlantik në Bullgari.

“Qëllimet dhe vizionet e vlerave dhe parimeve të NATO-s, për fat të keq, ranë në ujë në Samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008. Në rastin me integrimin e Republikës së Maqedonisë, NATO tregoi jovendosmëri, jounitet, mospajtim dhe paaftësi të marrë vendime strategjike. Prej atëherë e këtej, qendrat e tjera të fuqisë në botë e testuan NATO-n përmes rastit të Maqedonisë. Në rastin tonë në dukje dolën më shumë pika të dobëta të NATO-s.

Maqedonia është shembull shkollor se si NATO-ja nuk duhet të sillet me një vend kandidat.. Por, çfarë mund të mësohet nga rasti me integrimet euroatlantike të Maqedonisë? Ka disa leksione” porositi presidenti Ivanov.

Në ligjëratën e cila u mbajt në selinë e Komisionit Evropian në Sofje, në të cilën morën pjesë ish presidenti i Bullgarisë Peter Stojanov dhe përfaqësues të korit diplomatik, njoftoi raportuesi i MIA-s, ai nënvizoi se me këtë vendim NATO u bë peng i interesave partikulare të vendeve të saj kandidate, në vend të sigurisë evropiane dhe euroatlantike.

Sipas tij, në vend të vendosmërisë dhe unitetit, në Bukuresht NATO demonstroi dobësi dhe jounitete, ndërsa vendet anëtare lejuan të joshen nga fqinji ynë jugor.

Leksioni i dytë, theksoi, janë standardet e dyfishta pasi që, thotë, me 16 plane vepruese të përfunduara për anëtarësim, Republika e Maqedonisë e ka armatën më të dëshmuar në historinë e NATO-s, e gatshme edhe për misionet dhe operacionet më të ndërlikuara, ndërsa megjithatë nuk jemi anëtare. E theksoi edhe mosrespektimin e vlerave dhe parimeve të saj.

NATO, tha, si dhe Bashkimi Evropian, bazohet mbi qeverisjen e së drejtës dhe të drejtës ndërkombëtare dhe obligimi i saj është të kujdeset për po atë të drejtë, ndërsa megjithatë, Aleanca nuk e respekton aktgjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila duke e zgjidhur çështjen për kontestin për emrin solli vendim që bllokimi i integrimit të Maqedonisë në NATO është ilegal dhe se janë shkelur obligimet e ndërmarra ndërkombëtare.

“Me vite jemi duke paralajmëruar se në rastin me Republikën e Maqedonisë shkelet e drejta ndërkombëtare, por rrallë kush na ka dëgjuar. Sot çmimin të cilin e paguan NATO është më i lartë. Mosrespektimi i autoriteteve të lartë juridik e suspendon qeverisjen e së drejtës dhe lë hapësirë për anarkitet në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Mosrespektimi i aktgjykimit u jep argumente atyre të cilët e kontestojnë faktin se NATO është Aleancë e cila bazohet në parime, dhe jo fuqi e thatë brutale”, potencoi shefi i shtetit të Maqedonisë.

Në mesin e leksioneve të mësuara e veçoi rolin e hapësirës dhe gjeostrategjisë duke e theksuar situatën e sotme me Ukrainën, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Afërt të cilat krijojnë një rreth të konflikteve rreth Evropës. Jemi duke u ballafaquar me kanosje globale të ekstremizmit të dhunshëm edhe nga luftëtarë të huaj terroristë, theksoi ai, ndërsa në kushte të këtilla të ndërlikuara, krahu i djathtë i NATO-s, nënvizoi, ka rol kyç në ruajtjen e sigurisë evropiane. Pikërisht krahu jugor i NATO-s është i dobët për shkak të bllokimit të Maqedonisë.

“Përvoja e deritanishme tregoi se zgjerimi e ka bërë NATO-n më të fuqishëm dhe jo më të dobët. Por, gjithashtu, historia ka treguar se zgjerimi është më i mirë si vegël për parandalimin e konflikteve se si vegël për menaxhim me kriza. Me vetë atë që nuk e integron Maqedoninë nën ombrellën e saj të sigurisë, Aleanca është duke bërë gabim strategjik dhe krijon hapësirë të rezistencës më të vogël. Duke e anuluar zgjerimin, NATO krijon probleme në territorin e saj. Ky problem është hapësirë e vakumuar. Bllokimi i integrimit euroatlantik të Maqedonisë është shembull për atë se si nuk duhet ndërtuar siguria në rajon”, tha Ivanov.

Ai më pas theksoi se është optimist, por se përvoja na ka mësuar se Maqedonia nuk do të marrë ftesë për anëtarësim në samitin e ardhshëm të NATO-s në Varshavë.

“Samiti i NATO-s në Varshavë është mundësi historike që njëherë e përgjithmonë të prishet muri i fundit i cili e ndan Evropën nga vetë Evropa. Por, siç thashë në fillim, nëse më parë do të ishim entuziastë me ide të mëdha, tashmë jemi optimistë me shumë përvojë. Ndërsa përvoja na flet se, për fatë të keq, në Varshavë, Maqedonia me siguri nuk do të bëhet anëtare e NATO-s”, tha Ivanov.

Ai njëherësh kërkoi nga Bullgaria ta mbështesë integrimin euroatlantik të Maqedonisë me përkushtim drejt së ardhmes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat