Kodi zgjedhor jep alarmin, Gruevski, Zaev, Thaçi dhe Abdilaqim Ademi marrin pjesë në grupet e punës

Maqedonia

Kodi zgjedhor jep alarmin, Gruevski, Zaev, Thaçi dhe Abdilaqim Ademi marrin pjesë në grupet e punës

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 16:54

Përfaqësuesit e partive politike, me ndërmjetësimin e ambasadorëve të SHBA-së dhe BE-së, si dhe të deleguarit evropian Piter Van Haute, po tentojnë që brenda ditës së sotme të gjejnë zgjidhje për Legjislativën zgjedhore.

Në takimin e sotëm përfundimtar, negociojnë edhe kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i LSDM-së Zoran Zaev dhe kreu i PDSH-së Menduh Thaçi. BDI-ja përfaqësohet nga Abilaqim Ademi dhe Artan Grubi, ndërsa kryetari i tyre Ali Ahmeti nuk merr pjesë për shkak të angazhimeve private. Në tavolinën e bisedimeve mbetet gjithçka e hapur, me listën zgjedhore që kryeson listën e çështjeve problematike.

LSDM-ja kërkon që lista zgjedhore të pastrohet me krahasimin e bazave të të dhënave nga të gjitha institucionet dhe kontrollin e listës së plotë në terren.

Për partitë në pushtet, VMRO dhe BDI, mjafton që në terren të kontrollohen vetëm adresat kontestuese, që rrjedhin nga krahasimi i të dhënave. Çështje për tu zgjidhur mbetet edhe diaspora. Në prag të takimit, kreu i LSDM-së Zoran Zaev theksoi se partitë dakordohen që diaspora duhet të votojë, por duhet arritur barazimi i votës dhe të mos lejohen keqpërdorime si në të kaluarën.

“Diaspora duhet dhe patjetër të votojë. Diaspora është pjesë e jetës tonë. Por, t’i japim kështu 3-0 Gruevskit për shkak të ambasadorëve, konsujve, institucionet e sistemit dhe ta vëmë në pikëpyetje barazinë e votës, siç thonë edhe raportet e OSBE-së, nuk duhet ta lejojmë këtë”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Sipas informatave jo zyrtare, zgjidhja më e mundshme është vendosja e një pragu votash të nevojshme për marrjen e mandateve në diasporë. Kontestuese mbetet përqindja e pragut, me LSDM-në që kërkon 85 deri 90% nga numri mesatar i votave për një mandat brenda vendit, ndërsa VMRO DPMNE-ja do të pranonte prag prej rreth 70%, edhe atë nga numri minimal i votave për një mandat brenda vendit.

Për KSHZ-në është e zgjidhur çështja e përbërjes, ndërsa mbetet e hapur çështja e votimit me Badinter. Kontestues është gjithashtu edhe organi që duhet të vendos në shkallë të dytë për ankesat për parregullsi zgjedhore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat