Ndarja e BDI-së ishte e pashmangshme

Maqedonia

Ndarja e BDI-së ishte e pashmangshme

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 18:01

Analisti Ismet Ramadani vlerëson se Gëzim Ostreni ka vërtetuar të gjitha kritikat e mediave, analistëve dhe sektorit joqeveritar ndaj BDI-së gjatë periudhës së kaluar, me aktin e braktisjes së partisë dhe liderit të saj Ali Ahmeti. Ndarja e BDI-së, sipas Ramadanit ishte e pashmangshme, për shkak të politikës inferiore, që sipas tij, ka udhëhequr BDI-ja viteve të fundit.

“Unë mendoj se ashtu siç është pritur, do ndodhte një ndarje në BDI, për vetë faktin se udhëheqësia e BDI-së ndoqi një politikë vasale, një politikë inferiore e cila i solli shqiptarëve shumë dëme, në koalicion me Nikolla Gruevskin dhe partinë e tij. Ndoshta në pamje të parë duket se po ndahet një fraksion i vogël nga BDI-ja, por nëse analizohet personaliteti i z. Ostrenit, si njeriu më i afërt i z. Ahmeti, atëherë këtu mendoj se dëm më të madh Gëzim Ostreni i bën Ali Ahmetit si udhëheqës i partisë”, tha Ismet Ramadani, analist.

Për Ramadan Ramadanin, nga ana tjetër, formimi i “Unitetit” nga gjenerali i UÇK-së Gëzim Ostreni dhe Komandant Qufës do të ndalojë përvetësimin e meritave të UÇK-së nga ana e BDI-së.
“Në këtë mënyrë çlirohet UÇK-ja historike dhe shumë zor e ka dikush, ndonjë parti politike, që të merr si të vetën UÇK-në. E dyta është me rëndësi po ashtu, sepse ne, siç e dimë, gjatë kohë në BDI ka pasur disa marrëveshje rreth funksioneve partiake, tani me formimin e “Unitetit” formohet një ventil i ri, një dritare e re, ku njerëzit do të mund të artikulojnë politikisht pa u vrarë mes vete. E treta është gjithashtu simbolike, pasi me ndarjen e disa themeluesve të BDI-së, vërtetohet se kjo parti nuk është pronë e dikujt dhe se askush nuk e ka sjellë atë si pajë nga Zvicra apo nga ndonjë podrum tjetër” , u shpreh Ramadan Ramadani, analist.

Analistët vlerësojnë se kjo shkëputje nga BDI-ja, e para në këto përmasa, do t’i bëjë me zemër edhe funksionarët e tjerë të pakënaqur, por edhe intelektualë të tjerë që t’i bashkëngjiten nismës së Ostrenit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat