Miratoc-LLojan: Serbia dhe Maqedonia hedhin fajin te njëri-tjetri

Maqedonia

Miratoc-LLojan: Serbia dhe Maqedonia hedhin fajin te njëri-tjetri

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 10:59

Infrastruktura që lidh dy fshatrat shqiptare Llojan dhe Miratoc që ndodhen në Maqedoni dhe Serbi respektivisht, është e përfunduar dhe i plotëson të gjitha kushtet për hapjen e vendkalimit kufitar. Por duket se problemet burokratike po zgjasin hapjen e kufirit.

Duke kryer një analizë, portali Portalb, është munduar të kuptojë problemin burokratik duke marrë në intervistë zëdhënësin e Republikës së Maqedonisë, Ivo Kotevskin. Sipas tij hapja e vendkalimit kufitar është çështje mes dy shteteve, prandaj duhet që të dyja të pajtohen. Ai konfirmon interesin e Maqedonisë për hapjen e vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc, por sipas tij mungon vullneti nga qeveria serbe. E nga ana tjetër, deputeti në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi deklaron qëndrimin e autoriteteve serbe, sipas të cilave Maqedonia nuk ka interes për hapjen e këtij vendkalimi.

“Jemi në kontakt me qeverinë serbe, momentalisht nga ana e tyre përgjigjen se nuk ka infrastrukturë të përshtatshme dhe nuk kanë ndonjë interes të posaçëm për hapjen e vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc. Edhepse nga ana jonë ka interes, atë vendkalim nuk mund ta hapim vetë.”– kështu Ivo Kotevski iu përgjigj pyetjes se çfarë po e pengon hapjen e vendkalimit kufitar në fjalë.

Ai konfirmoi se rruga e nevojshme në territorin e Maqedonisë është e asfaltuar tashmë, por duhet të asfaltohet edhe rruga në territorin e shtetit fqinj:

“Po, rruga nga ana jonë është asfaltuar dhe ka interes popullata jonë lokale për hapje të vendkalimit kufitar, por nga ana tjetër nuk ka interes për momentin.”-tha Kotevski dhe ritheksoi se do donte që edhe nga ana tjetër të ketë interes, sepse nuk mund të hapet vendkalimi kufitar nëse nuk ka kontroll edhe nga ana tjetër.”

I pyetur a ekziston infrastruktura e nevojshme në territorin e Serbisë, Shaip Kamberi, përgjigjet: “Rruga regjionale që lidh Bujanocin dhe Preshevën me Llojanin, është asfaltuar para disa viteve, edhe atë si projekt i financuar nga USAID- i amerikan, nga ana e Maqedonisë, poashtu ajo është e asfaltuar deri në kufi dhe në këtë aspekt ekzistojnë kushtet infrastrukturore që kjo edhe të realizohet. Por, duket se janë motivet politike të njërës apo palës tjetër, që ende s’po shprehin gatishmëri për ta hapur kufirin.”

“Secila palë (Serbia dhe Maqedonia) ia len fajin palës tjetër. Përgjigjet që marrim nga autoritetet në Beograd, thonë se pala Maqedonase nuk ka interes për këtë kufi.”- deklaroi ai, kur u pyet se çfarë po e pengon hapjen e vendkalimit kufitar. Kamberi ndër tjerash sqaroi se edhe zyrtarisht ka kërkuar në Parlamentin e Serbisë përgjigjen se kur do hapet kufiri mes dy vendeve.

Shaip Kamberi foli edhe për nevojën e hapjes së vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc duke thënë:“Shqiptarët e Luginës së Preshevës, tradicionalisht kanë lidhje të forta me shqiptarët që jetojnë matanë kufirit në Maqedoni. Raportet mjaft intensive mes këtyre vendbanimeve shqiptare nga koha kur kemi jetuar në një shtet të përbashkët, kanë ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik të këtyre komunave. Sot, kur Lugina e Preshevës është e getoizuar, në rrethanat në të cilat Serbia nuk ka as IPA fonde të BE-së për bashkëpunim ndërkufitar, është e nevojshme që të krijohen mundësi të qarkullimit të lirë jo vetëm të njerëzve por edhe të mallrave për ta intensifikuar zhvillimin lokal ekonomik të komunave tona. Prandaj hapja e vendkalimit LLojan – Miratoc, mendoj se do të jetë një hap i rëndësishëm për të ringjallur lidhjet e dikurshme ekonomike mes këtyre komunave të cilat gjenden në situatë ekonomike gati të pashpresë që po ndikon në largimin e rinisë tonë.”

Miratoci me 4664 banorë dhe Llojani me 2668 banorë njihen për afërsinë e tyre farefisnore dhe martesave të shumta mes dy fshatrave shqiptare. /Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat