Ekspertët: ‘në BDI mungon fryma demokratike’

Maqedonia

Ekspertët: ‘në BDI mungon fryma demokratike’

Më: 3 tetor 2015 Në ora: 19:19

Shkëputja e Gëzim Ostrenit dhe deputetit Zulfi Adili komandant 'Qufa' ka shkaktuar reagimin e qytetarëve duke parashtruar pyetjen ‘a do të dëmtohet BDI-ja nga ky fraksion?’. Për të diskutuar këtë ngjarje, Telegrafi Maqedoni ka biseduar me politologun Xhenis Sulimani dhe analistin Selim Ibraimi.

Selim Ibraimi thotë se në BDI mungon fryma demokratike dhe UNITETI është rezultat i pakënaqësive të kuadrove të kësaj partie. ‘Shkëputja e gjeneralit Ostreni dhe deputetit nga BDI është një indikacion se partisë se Ahmetit i mungon fryma demokratike për shkak të sjelljes "politbyreske" të kreut. Kuptohet se çarjet janë një element i pakënaqësisë se kuadrove të kësaj partie të anashkaluar nga grupi permanent që bën politikën e BDI-së që nga viti 2002. Në proces, deri dhe pas zgjedhjeve të vitit 2016 duhet parë se nëse do të arrijë të bëhet parti relevante dhe konkurrente e BDI-së. Nëse do të kemi ikje masive të deputetëve të BDI-së të pakënaqur tek UNITETI atëherë Ahmeti dhe grupi i tij duhet të shqetësohet. ‘

Ibraimi gjithashtu thotë ‘UNITETI dhe partitë tjera opozitare pa një bllok antiqeveritar do t’a kenë të vështirë luftën politike ndaj partive në qeveri përshkak të dominimit në terrenin elektoral. Zaptimi i elektoratit mund të nis që tani, e nëse UNITETI dëshiron të fitojë mund t’i hyjë garës nga baza. Në këtë drejtim duhet parë se pse me kaq vonesë të 'rebeluarit' e BDI-së dolën në skenë. Ka të bëjë me inatet brenda partiake apo me të drejtat e shqiptarëve të pa realizuara nga BDI ku të pakënaqurit aderuan me vite.’’

Politologu Xhenis Sulimani thotë ‘BDI ka kohë që nuk mbron as interesat e ish ushtarëve e as të shqiptarëve në përgjithësi. Është çështje dytësore se sa dëm mund t’i sjell UNITETI BDI-së, kryesorja është se BDI nuk ka më legjitimitet të thirret si subjekt gardian i ish ushtarëve të UÇK-së.’’

Telegrafi Maqedoni këto dy ekspert i ka pyetur se a ka mundësi që UNITETI mund të jetë ''lojë'' e BDI-së. Sulimani për këtë pyetje thotë ‘unë nuk besoj se kjo nismë do të dalë jashta premtimeve që i dha sot dhe do të bashkëpunoj me gardianët e së keqes së përgjithshme. Mossinqeriteti i tyre edhe më tepër do të rrit apatinë në mesin e elektoratit shqiptar që ështe segment mjaft shqetësues. Shqiptarët kanë nevojë për subjekte politike me qellime të mira që janë të gatshme të sakrifikojnë në emër të së mirës së përgjithshme e jo të pasurohen duke bërë retorika boshe për politikën.’

Ndërsa Ibraimi në të njejtën pyetje përgjigjet ‘nëse UNITETI është një ‘konspiracion’ për të ndihmuar rejtingun e BDI-së, atëherë do ta kenë vështirë të pranohen nga elektorati shqiptar i cili edhe ashtu është i lodhur nga partitë politike e me premtime të pa realizuara programore. Pra, në fund duhet të pritet se kush do të shkojë pas UNITETI për të vlerësuar se sa serioze dhe çka do të bëjë në të ardhmen në luftën politike me BDI-në, PDSH-në dhe partitë tjera opozitare. Por, një argument në fund, Ahmeti po humb betejën, me elektoratin që dikur e priste krahëhapur.’’

Përndryshe, partia më e re shqiptare UNITETI në krye me gjeneralin Gëzim Ostreni, tani më ish anëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) sot doli para publikut. Në shoqëri të tij ishte deputeti Zylfi Adili-Qufa, Gazmend Selmani, një nga themeluesit e Forumit rinor të BDI, Skender Xhemaili, i 5ti në listën e kandidatëve të BDI-së për deputet në njësinë zgjedhore 1, Mehmet Bajrami, ish kandidat për këshilltar të BDI në Kumanovë, Fatmir Zimberi këshilltar në Ministrinë e Transportit, Muhamed Ismaili, ish zv/drejtor i Agjencisë së Inteligjencës, Veli Kadriu i punësuar në Qendrën për Menaxhim me Kriza.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat