Gjenerali Ostreni braktisi komandant Ahmetin, formohet 'Uniteti'

Maqedonia

Gjenerali Ostreni braktisi komandant Ahmetin, formohet 'Uniteti'

Më: 3 tetor 2015 Në ora: 14:46

Gjenerali i tha lamtumirë komandantit të UÇK-së Ali Ahmeti. Gëzim Ostreni, gjeneral në UÇK-në e Kosovës në vitin 1999, shef i shtabit të përgjithshëm të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe shef i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të vitit 2001 në Maqedoni, sot edhe zyrtarisht njoftoi se braktisë radhët e BDI-së, ku ishte pjesë që nga viti 2002. “Uniteti” do të jetë subjekti i ri politik i cili tani më ka filluar procedurat ligjore për regjistrimin e partisë dhe së shpejti do të promovohet edhe struktura dhe programi. Formimi i Unitetit, sipas Ostrenit, ishte i domosdoshëm për shkak të kontrollimit të dy partive kryesore shqiptare BDI dhe PDSH nga VMRO DPMNE-ja.
“Njëra parti rregullisht kërkon marrëveshje të re me maqedonasit,që do të thotë ndryshime të reja në Kushtetutë, duke e quajtur të vjetëruar Marrëveshjen e Ohrit, të cilën vetë e ka firmosur dhe nuk merr iniciativë për të realizuar këtë ide, ngase është betuar se deri në vdekje do të jetë besnike e një organi të shtetit. Ndërsa tjetra, viteve të fundit, anulon të gjitha përpjekjet, duke i mbuluar me demagogjinë: anëtarësim në NATO dhe BE, në vend që të punojë për arritjen e standardeve me të cilat do të krijoheshin kushte që anëtarësimi të ishte pasojë e punës për ndërtimin e jetës cilësore të qytetarëve të Maqedonisë”, tha Gëzim Ostreni, Uniteti.
Ostreni theksoi se Uniteti do të angazhohet për shtet qytetar, ku shqiptarët dhe maqedonasit do të ishin krejtësisht të barabartë.
“Uniteti do të punojë për rritjen e besimit ndëretnik mes shqiptarëve dhe maqedonasve, për të aplikuar shtetin qytetar – shumetnik si realitet demografik i zhvillimit të shoqërisë së krijuar në rrethana të caktuara historike. Dëshirojmë që partitë maqedonase ta kuptojnë se Marrëveshja e Ohrit dhe ndryshimet e Kushtetutës janë bërë për të ruajtur Republikën e Maqedonisë në kufijtë ekzistues, në të cilën shqiptarët e shohin veten si qytetarë të barabartë me maqedonasit dhe jo si lypsarë, të cilëve dikush duhet t’ua jep ose jo të drejtat e tyre”, u shpreh Gëzim Ostreni, Uniteti.
Për dallim nga BESA, Lëvizja për Reforma në PDSH dhe RDK-ja, Uniteti do të jetë edhe parti parlamentare deri në zgjedhjet e ardhshme, pasi që pjesë e saj do të jetë i edhe deputeti Zulfi Adili, i njohur si komandant Qufa. Përveç tij, në promovimin e sotëm të Unitetit u paraqitën edhe Skender Xhemaili, i 5ti në listën e kandidatëve të BDI-së për deputet në njësinë zgjedhore 1, Muhamed Ismaili, ish zv/drejtor i Agjencisë së Inteligjencës, Gazmend Selmani, njëri ndër themeluesit e forumit rinor BDI, Mehmet Bajrami, kandidat i BDI-së për këshilltarë në Komunën e Kumanovës dhe të tjerë. Ostreni theksoi se pas regjistrimit të partisë, do të fillojnë edhe bisedimet me subjektet e tjera politike për bashkëpunime eventuale parazgjedhore. Ai nuk deshi të përjashtojë asnjë parti si partner të mundshëm koalicioni për të ardhmen. Është kjo goditja e parë më serioze me të cilën po ballafaqohet subjekti politik BDI, i cili doli nga UÇK-ja e 2001.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat