Zyrtare: Përçahet BDI, nesër krijohet partia e re UNITETI

Maqedonia

Zyrtare: Përçahet BDI, nesër krijohet partia e re UNITETI

Më: 2 tetor 2015 Në ora: 21:28

Nesër në ora 11.00 në hotelin “Aleksandar Palace” ish gjenerali i UÇK-së, Gëzim Ostreni, do promovojë dhe do flaës për krijimin e partisë së re UNITETI. Ai do të jetë i shoqëruar edhe nga deputeti Zylfi Adili-Qufa dhe nga anëtarë tjerë të këshillit iniciues për formimin e “Uniteti”-t.  Merret vesh se përveç promovimit të subjektit të ri, ata do të flasin edhe për pengesat që ua kanë shkaktuar institucionet, me qëllim që t’i pengojnë në formimin e partisë. 

Partia e re, së paku deri tani, përbëhet kryesisht nga figurat e vjetra të BDI-së, që pas 14 vitesh bashkëveprim, tani përçahen për të krijuar partine e re. Edhe në faqen e profilit të Gëzim Ostrenit në Facebook, është nxjerrë lajmi se komandant Qufa do i bashkohet nismës për krijimin e partisë së re. Nuk dihet nëse edhe figura tjera të rëndësishme të BDI-së do jenë prezent në promovim ose nëse do i bashkëngjiten në të ardhmen.

Kush është Gëzim Ostreni

Ostreni ka lindur në Dibër më 1 Nëntor 1942. I martuar, baba i i dy fëmijëve, djalë e vajzë. Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje më 1956, ndërsa ka diplomuar plr sociologji dhe filozofi në Prishtinë.

Ai ka qenë aktiv në kohën e komunizmit jugosllav, ku në 1966 u zgjodh anëtar i Komitetit qendror të Rinisë socialiste të Maqedonisë. Gjatë 1965 dhe 1966 ishte anëtar i Këshillit qendror të Popullit punonjës Socialist të Maqedonisë.

Duhet të theksohet se në kohën e tërmetit katastrofik në Dibër, në nëntor të vitit 1967 e formoi dhe udhëhoqi Brigadën rinore plot dy muaj. Kjo brigadë kishte kontribut të madh në zbutjen e pasojave të tërmetit duke kryer shërbime të ndryshme për qytetarët, duke përfshi këtu edhe detyrat më të rënda.

Në fillim të vitit 1999, radhitet në radhët e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa në mars të të njëjtit vit iu besua detyra e shefit të shtabit të Zonës së tretë operative të UÇK – së që vepronte në Dukagjin e që përfshinte territoret e komunave Gjakovë, Deçan, Pejë, Istog, Klinë dhe Rugovë ku pas përfundimit të luftës u bë komandant i Zonës së tretë me gradën gjeneral – major, të cilën ia ndau Qeveria e përkohshme e Kosovës.

Pas demilitarizimit të UÇK – së dhe transformimit të saj në TMK, u emërua shef i Shtabit të Përgjithshëm të TMK – së si gjeneral-major me dy yje në përputhje me gradat në NATO, - duke filluar nga 1 prilli i vitit 2000. Në këtë funksion, përveç tjerash detyra kryesore ishte kontributi i TMK – së në rindërtimin e fondit banesor të qytetarëve të Kosovës.

Në vitin 2001, gjatë luftës në Maqedoni ishte kryeshef i Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare deri më 26 shtator të vitit 2001, e cila përfundoi me dorëzimin e armëve NATO – s, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Në Zgjedhjet Presidenciale 2004 isha kandidat për kryetar të Republikës së Maqedonisë.

Në vitin 2005 u emërova Nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë.

Më 3 dhjetor 2005, në mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të BDI-së, u emërua Sekretar i përgjithshëm i partisë.

Në zgjedhjet e fundit për kryetar dege të BDI-së në Dibër, 2015, kandidat ishte djali i Gëzim Ostrenit, Iliri, dhe kryetari aktual i Dibrës, Ruzhdi Lata, ku ky i fundit fitoi nga votat e kryesisë./ Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat